Krasniqi, Kurtit: E bëre temë të diskutimit Serbinë e Vuçiqin – ne e mirëpresim marrëveshjen në Bruksel

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se mirëpresin marrëveshjen për targat të arritur në Bruksel.

Krasniqi pati edhe kritika për kryeministrin Albin Kurti, duke i thënë se ka qenë e panevojshme drama që ka shkaktuar gjatë këtyre javëve.

“Vërtetë është vështirë për 4-5 minuta me vendos çka me thanë për 4-5 javë të fundit të dramës që i keni shkaktuar pa pikë nevoje z.Kryeministër. Ne e mirëpresim dakordimin që ka ndodhur dje në Bruksel, marrëveshjen që shmang përshkallëzimin edhe eskalimin potencial të situatës në veri”, ka thënë Kasniqi.

Ai ka shtuar se u bë shumë zhurmë, amo jo për asgjë.

“Nuk është që s’ndodhi asgjë sepse një çështje që ishte kompetencë e ekskluzive e Qeverisë e kryeministrit arritët ta shndërroni në temë të diskutimit e të negocimit duke e bërë palë Serbinë e Vuçiqin, për një gjë që ishte kompetencë vendimmarrëse e Qeverisë. Ke mundur ta bësh vetë këtë që e bëre dje në Bruksel, duke u dakorduar me SHBA-të dhe duke e marrë për bazë këshillën që e kishe më shumë se 4-5 javë në tavolinë, telefonata e në takime nga ndërmjetësi emisari Escobar por edhe nga sekretari Blinken”, ka thënë Krasniqi.

I pari i PDK-së, ka shtuar se Kurti u dorëzua para një procesi të tillë.

“Duke mos bërë një gjë të tillë, e duke hyrë në një proces të cilin dje u dorëzove e u dorëheqe prej tij, ke shprehur një pafuqi të Kosovës dhe po ashtu keni krijuar shpenzime për mbajtjen e zgjedhjeve në veri që kanë mundur të evitohen . Ka paqartësi të madhe për të cilën nuk jeni deklaruar as ju e as zëvendësi yt, se a do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se tash është koha për tu angazhuar dhe për vepruar në përfundim të dialogut me Serbinë.

“Plani i ashtuquajtur franko-gjerman që tash po quhet edhe plan evropian e që mbështetet edhe nga amerikanët si draft aktual nuk i adreson aspiratat shtetërore të Kosovës. Por angazhimi në negocimin dhe përmirësimin e tij është i nevojshëm dhe unë për këtë ju kam inkurajuar që ta bëni një gjë të tillë”, tha Krasniqi.