Krasniqi: Kurti thoshte se kur VV vjen në pushtet do t’i mbrojë nga Specialja, sot s’po e mbron as Selimin

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PSD-së, Frashër Krasniqi ka deklaruar se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh i zgjedhuri i popullit për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti nuk po lëshon as deklaratë mbrojtëse sa i përket ftesave nga Gjykata Speciale për ish pjesëtarët e UÇK-së.

Krasniqi tha se Kurti dikur deklaronte se kur Vetëvendosje vjen në pushtet, do t’i mbrojë nga Specialja, por që sot i njëjti nuk po e mbron as Rexhep Selimin e Gani Krasniqin që i ka në partinë e vetë, transmeton Indeksonline.

Tutje Frashër Krasniqi shtoi se Kurti dikur i thoshte Thaçit që për pak pushtet po e djeg luftën e UÇK-së dhe gjithë shokët, por që Kurti vet, për pak pushtet sot po e lë Specialen që t’ia marrë shokët.

Postimi i plotë:

“Kur Vetëvendosje vjen në pushtet, ne do t’ju mbrojmë nga Gjykata Speciale.”

Kështu i drejtohej Albin Kurti dikur Hashim Thaçit. Kurse sot kur Gjykata Speciale po i fton një nga një ish-komandantët e UÇK-së, as deklaratë mbrojtëse nuk po lëshon. Se lëre më të bëjë diçka siç kishte premtuar.

Dhe nuk po flasim këtu vetëm për komandantët e partive tjera. Ai nuk po i mbron as Rexhep Selimin e Gani Krasniqin që i ka në partinë e vet.

Dikur i thoshte Thaçit që për pak pushtet po e djeg luftën e UÇK-së dhe gjithë shokët e tij. Sot Kurti vet, për pak pushtet, po e len specialen që t’ia marrë shokët dhe të vazhdojë njollosjen e UÇK-së.

Pa asnjë zë, pa asnjë reagim.

loading…