Krasniqi: Kurti e Osmani u rritën nga mediat, tash i shohin armike

Albert Krasniqi nga Demokraci Plus ka kritikuar gjuhën e krerëve institucional kundrejt mediave. Në emisionin Pressing në T7, Krasniqi thotë se ishin vetë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, që u rritën nga mediat, ndërkohë tani i shohin si armike.

“Është e habitshme. Edhe zonja Osmani edhe Lëvizja Vetëvendosje janë produkt i mediave. Aty ku kanë mbërri kanë pasur përkrahje shumë të madhe prej të gjitha mediumeve, pa dallim”, tha Krasniqi.

“E gëzojnë këtë pushtet, për shkak të përkrahjes mediale dhe po duket që tani si kundërshtarë politikë po i shohin mediat, edhe për shkak të rolit edhe të kredibilitetit jo të mirë të partive opozitare edhe të denigrimit që është bërë në të kaluarën, mediat po shihen si burim që mund të rrezikojë pushtetin e tyre dhe këta janë armiku të cilin duhet sfiduar dhe duhet delegjitimuar”, shtoi ai.

“Ikja nga debati nuk është vetëm injorim i një medias. Është ikja e llogarisë publike, ata nuk po vijnë t’i ballafaqojnë ministrat me të arriturat e tyre, të sfidohen qoftë edhe nga kundërshtarët politikë”, theksoi Krasniqi.

“Këto zona ata po i mbyllin që të mos rrezikohen”, shpjegoi ai.