Krasniqi: Kosova drejt rrugës për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në ditën e Evropës ka thënë se pas shumë përpjekjeve dhe vonesave të panevojshme Kosova ka hyrë në rrugën pa kthim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Krasniqi në një postim në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se shqiptarët e Kosovës e kanë dëshmuar për dekada se janë vlerë e shtuar dhe aset tejet i rëndësishëm me kontributin e tyre të shquar në të gjithë shtetet e Evropës ku jetojnë dhe punojnë.

“Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe pranimi i aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës – janë shenja të përafrimit tonë, por, mbi të gjitha, edhe përmbushje e premtimeve të kahmotshme që Bashkimi Evropian i kishte dhënë Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Ky vit sipas Krasniqit shënon një pikë kthese për Kosovën dhe BE-në.

“Prandaj, para se gjithash, ky vit i cili shënon një pikë kthese për Kosovën dhe BE-në, uroj që të  konkretizohet sa më parë me marrjen e statusit kandidat dhe më pas anëtarësimit të plotë të Kosovës në BE”, ka shkruar Krasniqi.