Krasniqi komenton ecjen e Kurtit nëpër rrugët e Prishtinës: Siguria e tij duhet të jetë rigoroze

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është parë duke ecur nëpër rrugët e kryeqytetit për në Qeveri. Përkundër që ishte ditë e diel, Kurti vendosi që pa automjet të shkonte në zyre.


Vet ai i ka postuar disa fotografi në Instagram ku kërkon që t’i shmangemi automjetit sa më shumë që të jetë e mundur.

Në lidhje me këtë ka reaguar analisti politik, Milazim krasniqi i cili tha se siguria e Kurtit duhet të jetë rigoroze pasi ka ardhur në një pushtet me një politikë ku ka krijuar shumë armiqë.

“Ndërsa, në rastin e Kurtit, siguria duhet të jetë shumë më rigoroze. Pse? Sepse ka ardhë në krye të qeverisë me një politikë konfliktuoze, e cila ka prodhuar shumë kundërshtarë e armiq”, ka shkruar ndër tjerash Krasniqi në Facebook.

Postimi i plotë:

Shkuarja këmbë në punë e Albin Kurtit është pjesë e cirkut argëtues, për shijen e njerëzve të padije e të pavetëdije politike. Kjo sjellje nuk është as politikë, nuk është as qeverisje. Në një vend si Kosova, ku duart e armiqve janë gjithandej prezente, siguria e jetës së kryeministrit, cilido qoftë ai, duhet të jetë e plotë. Ndërsa, në rastin e Kurtit, siguria duhet të jetë shumë më rigoroze. Pse? Sepse ka ardhë në krye të qeverisë me një politikë konfliktuoze, e cila ka prodhuar shumë kundërshtarë e armiq. Deri sa të eliminohet ky perceptim, Kurti duhet të ketë siguri shumë më rigoroze, sepse ka rrezik që forcat e errëta antiKosovë të gjuajnë gurin e të fshehin dorën. Qëllimi mund të jetë destabilizimi, zhbërja e shtetit. Pra, lëreni cirkun, bëni poliitkë në pajtim me realitetin që kemi, që si shtet ende jemi në rrezik.