Krasniqi: Ka ende punë që Policia e Kosovës të ketë trajtim dinjitoz

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi me rastin e shënimit të 22 vjetorit të themelimit Policisë së Republikës së Kosovës, ka thënë se padyshim është institucioni më i besueshëm.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Krasniqi ka thënë se ende ka punë për të bërë që pjesëtarët e Policisë të kenë trajtim dinjitoz.

“Policia e Kosovës është padyshim një ndër mekanizmat shtetëror më të besueshëm, që gëzon respekt dhe manifeston profesionalizëm të madh në shërbim të komunitetit, për rritjen, zhvillimin e integritetin e të cilës, institucionet tona janë përpjekur e kanë investuar vazhdimisht. Megjithatë, ka ende punë për të bërë që pjesëtarët e Policisë së Kosovës të kenë trajtim dinjitoz, përfshirë sigurimin e kushteve efikase për punë, rregullimin e statusit për pensionimin e parakohshëm, sigurimin shëndetësor dhe atë të jetës. Në këtë 22 vjetor, përderisa festojmë këtë traditë të mirëfilltë, njëkohësisht ftojmë që kjo traditë e mirë e këtij institucioni themelor për rend dhe ligj, të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke ruajtur paanësinë dhe duke thelluar shërbimin ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim”, ka shkruar ai.