Krasniqi ia shpreh shefes së UNMIK-ut rezervat e PDK-së për planin e BE-së

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tregoi se në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, ka pritur sot shefen e UNMIK-ut në Kosovë, Caroline Ziadeh, me të cilën siç tha ai, kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në Kosovë.

Ai tha se shefes së UNMIK-ut ia shprehu qëndrimin e PDK-së në lidhje me dialogun Kosovë – Serbi dhe rezervat që kanë në raport me këtë marrëveshje, e cila, sipas tij, “është e pamjaftueshme dhe mundësi e humbur për një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e ndërkombëtarisht të obligueshme”.

“Ne i kemi dhënë mbështetje të parezervë Kryeministrit Kurti në procesin e dialogut dhe në raport me Serbinë. Përkundër kësaj, neglizhenca e tij, mosdakordimi me partnerët ndërkombëtarë kur ka qenë e nevojshme, kokëfortësia e tij për të dëgjuar propozimet e opozitës, përfshirë pesë pikat tona të deklaruara edhe në Washington, Bruksel e Kuvend të Kosovës – janë arsyet kryesore që sot kemi një marrëveshje e cila nuk i realizon kërkesat, nevojat dhe qëllimet shtetërore të Kosovës”, shkroi ai në Facebook.

“Sot, për fat të keq, kemi përpara një transformim të marrëveshjes së paralajmëruar dhe kërkuar nga ne dhe partnerët ndërkombëtarë për vite me radhë, nga një marrëveshje finale me njohjen e ndërsjellë në qendër, në marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, shtoi deputeti opozitar.