Krasniqi: I lumtur që fëmijët po nisin mësimin, qeveria bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor të fyer e të lënduar

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i lumtur që fëmijët po kthehen nesër në bankat e shkollës.

Mirëpo, ai tha se është edhe i shqetësuar për modelin qeverisës që po instalohet.

“Në kohën kur nxënësit do të shkojnë kokëlartë në shkollë, Qeveria e Kosovës, përmes sulmeve të shumta, për herë të parë bëri që mësimdhënësit të fillojnë vitin shkollor kokulur, të fyer e të lënduar”, tha Krasniqi.

Kreu i opozitës tha se duhet ta rikujtojmë se, përtej propagandës, mësimdhënësit mbeten një ndër kategoritë më të respektuara të shoqërisë sonë.

“Por, ata meritojnë edhe trajtim të drejtë që e ruan dinjitetin e tyre. Prandaj, kërkesat e tyre, me apo pa grevë, duhet të adresohen dhe të plotësohen sa më shpejt”, tha Krasniqi.