Është zbardhur agjenda e vizitës së Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Kransiqit, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, para ShBA’së, Krasniqi do ta ketë një vizitë në Bruksel.

I shoqëruar nga ish-ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Qollaku, Krasniqi do të takohet me eurodeputetë e me emisarin special të BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak.

Pas këtyre takimeve, të mërkurën ai bashkë me ish-ambadadorët, Vlora Çitaku e Bernard Nikaj do të udhëtojë për në ShBA.

Në Washington, ata do të priten nga i dërguari Special i Presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Më pas takime do të kenë edhe në të dy dhomat e Kongresit, atë të përfaqësuesve dhe në senat.

Takim të ndarë do të zhvillohet edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve.

Për temat që do të diskutohen në këto takime, është deklaruar vetë Krasniqi.

“Do të diskutojmë gjithsesi për zhvillimet aktuale në vend, zhvillimet aktuale në rajon, sfidat dhe rreziqet me të cilat po përballemi. Aty unë gjithsesi do të shprehë qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës për gjithë këtë situatë, për gjithë këto zhvillime, për atë se si e shohim gjendjen aktuale dhe perspektivën e Kosovës”, ka thënë Krasniqi për T7.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të realizojë vizitë gjatë javës së ardhshme edhe Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Por, Krasniqi thotë se vizitat e tyre s’janë të koordinuara.

Ai ka thënë se është për keqardhje dhe fatkeqësi për Kosovën “sanksionimi nga ana e ShBA’ve për ministrat e Qeverisë dhe për njerëzit e pushtetit.” Ky veprim sipas liderit të PDK-së, ka ndodhur pasi Qeveria Amerikane është e zhënjyer së fundmi me Qeverinë e Kosovës sa i përket mos-shtyerjes së vendimit për targat.

“Vizitat tona nuk janë të koordinuara, janë të planifikuara ndaras, por përkojnë në një moment të njejtë dhe poashtu në një moment shumë sfidues për Kosovën. është vërtetë për keqardhje dhe fatkeqësi për Kosovën sanksionimi nga ana e ShBA’ve për ministrat e Qeverisë dhe për njerëzit e pushtetit”, ka deklaruar Krasniqi.
Krasniqi foli edhe për planin franko-gjerman.

“Mendoj që është vendim i duhur që të shprehet gatishmëria e institucioneve të Kosovës për t’u angazhuar në diskutim të këtij dokumenti dhe për të arritur një dokument të pranueshëm në fund”, ka thënë ai.

Në fund ka deklaruar se ai dhe Partia Demokratike e Kosovës janë “të gatshëm që ta udhëheqim vendin në çdo moment, e sidomos në momentet sfiduese.”

Edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur rreth vizitës që do ta realizojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë javës së ardhshme.

Abdixhiku ka bërë me dije se në ShBA do të qëndrojë një javë dhe se do të ketë takime edhe në Departamentin e Shtetit.

“Unë kam një (vizitë) në ShBA, një javore, të aranzhuar kohë më parë, e cila do të nis javën e ardhshme, pra do të fluturoj të dielën për në Washington dhe atje do të zhvilloj takime zyrtare që i kemi paraparë në State Department, takime me kongresmenë e senatorë, në institucione të sigurisë amerikane, me think-tanke të pavarura, me figura të rëndësishme atje, si pjesë e angazhimit tonë politikë. Ka njëfarë tradite LDK’ja historike dhe një relacion të ngushtë edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Abdixhiku në Klan Kosova.

I pari i LDK’së ka thënë se atje s’do t’ia bëjë opozitën Qeverisë, por se do të flasë vetëm për zhvillimin e vendit.

“Më lejoni të bëj të qarrë se atje do të bëj përfaqësimin me pikëpamjet tona sa i përket zhvillimit të vendit, jo të bëj opozitë kundrejt Qeverisë. Pra, nuk është ky qëllimi i vizitës. Unë asnjëherë nuk bëj opozitë jashtë vendit…Unë nuk dal jashtë ta shaj vendin tim”, ka deklaruar Abdixhiku.

I pyetur nëse këto vizita mund të konsiderohen favorizim për opozitën e sanksionim për Qeverinë, Abdixhiku ka deklaruar së është interes i vendit që përfaqësuesit shtetëror të Kosovës të kenë vizita sa më të shpeshta në ShBA.

“S’dua ta lexoj ashtu dhe s’do të doja ta lexoja ashtu. Po them edhe njëherë që është interes i vendit që përfaqësuesit shtetëror të Kosovës të kenë vizita sa më të shpeshta në ShBA, t’kenë lidhje sa më të ngjeshura atje”, ka thënë ai./Reporteri.net