Krasniqi bashkë me djalin e ish-presidentit Thaçi marrin pjesë në përvjetorin e Masakrës së Studimës

24 vite më parë, në Studime të Vushtrrisë nga policia dhe ushtria serbe u vranë dhe u masakruan 116 civilë të pafajshëm dhe të paarmatosur, burra, gra, djem dhe vajza.

Në këtë përvjetor kreu i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se masakra e Studimes, krahas mbi 400 masakrave të tjera të realizuara në të gjithë Kosovën, janë dëshmitë më të fuqishme mbi atë se kush ishte agresori e kush viktima gjatë luftës së vitit 1998/99.

“Paramilitarët serbë nuk kursyen as fëmijët dhe të moshuarit – në planin e tyre për realizimin e gjenocidit në Kosovë. Përkundër kësaj, edhe sot, 24 vite më pas, asnjë nga kriminelët serbë, ekzekutor apo urdhërdhënës, nuk ka dalë para drejtësisë vendore apo ndërkombëtare për të dhënë përgjegjësi për krimet e kryera”, ka deklaruar Krasniqi.

Kreu i PDK-së në ktë përvjetor u shoqërua nga Endriti, djali i ish-presidentit Hashim Thaçi.

“Për familjet e viktimave, ne si qytetarë të Kosovës, për shtetin tonë – një gjë është e sigurtë: këto krime nuk do të vjetrohen asnjëherë dhe ne nuk do të rreshtim së kërkuari drejtësi! Liria që gëzojmë sot ka në themele gjakun e mijëra martirëve të vendit tonë”.