Krasniqi: Abdixhiku tregoi se është vegël e Kurtit, pasi që përjashtoi Agim Veliun

Anëtari i PSD-së, Frashër Krasniqi ka vazhduar me kritika për kryetarin e ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Krasniqi sot është marrë me përjashtimin e Agim Veliut nga pozitat drejtuese të LDK-së, vendim ky i marrë nga Abdixhiku dhe i votuar nga Këshilli i Përgjithshëm i partisë, raporton Ballkani.info.

“Elektorati i LDK-së e zgjodhi Veliun deputet me jo pak vota. Spastrimi i tij nga kryesia e LDK-së është dëshmia e dytë që Lumir Abdixhiku është vegla e Albin Kurtit në LDK”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i plotë:

PUSHTETI AUTORITAR KONTROLLON EDHE OPOZITËN

Jo që kam ndonjë simpati për Agim Veliun. Por elektorati i LDK-së e zgjodhi Veliun deputet me jo pak vota. Spastrimi i tij nga kryesia e LDK-së është dëshmia e dytë që Lumir Abdixhiku është vegla e Albin Kurtit në LDK.

Më pak se 10 ditë në krye të LDK-së, Abdixhiku i mori disa vendime. Të gjitha në favor të VV-së!

1. Qëndrimi i LDK-së në sallën e Kuvendit për t’ja zgjedhur VV-së presidenten,

2. Largimi i Agim Veliut nga kryesia e LDK-së,

3. Përzgjedhja e tre nënkryetarëve që janë pro politikave të Kurtit.

Lumir Abdixhiku po vjen jo si një reformues i LDK-së. Por si një reformues i opozitës, për ta përshtatur këtë të fundit me nevojat e pushtetit. Zaten, një nga elementet e pushteteve autoritare është shndërrimi i opozitës në një opozitë të kontrolluar, konstruktive e konformiste.

Derisa Vjosa Osmani është vegla e Albin Kurtit për ta kontrolluar Presidencën, Lumir Abdixhiku është vegla e tij për ta dobësuar dhe amortizuar opozitën.