KQZ: Vetëm PDK-ja ka aplikuar t’u certifikuar për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përgatitjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në katër komuna të pjesës veriore të Kosovës, Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan që do të mbahen më 19 maj.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Ballkani.info se deri në këto momente, kanë pranuar vetëm një aplikim të një subjekti politik për t’u certifikuar për zgjedhje, e që bëhet fjalë për PDK-në.

“Deri më tani kemi pranuar aplikimin e një subjekti politik për t’u certifikuar për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Bëhet fjalë për partinë politike Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka paraqitur aplikimin për kryetar të këtyre katër komunave. Afati i fundit për subjektet politike dhe kandidatët që të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet e Jashtëzakonshme në këto katër komuna është data 18 prill. Aplikimet në ditën e fundit do t’i presim deri në orën 24:00”, tha Elezi.

Paraqitja e kandidatëve duhet të bëhet deri më 18 prill. /Ballkani.info/