KQZ vendos që renditja e subjekteve politike të jetë nga 111 e tutje

Në Kuvendin e Kosovës nuk do të mund të ketë deputetë që do ta marrin këtë post falë numrit të partisë, pasi që KQZ ka vendosur se numrat e partive politike pjesëmarrës në zgjedhjet e 6 tetorit do të jenë nga 111 e lartë e jo më të korrespondojnë numrat e partisë me kandidatët, sikurse në zgjedhjet e kaluara.

Për këtë vendim ka njoftuar drejtori ekzekutiv i Zyrës për Regjistrimit të Subjekteve Politike, Yll Buleshkaj, sipas të cilit tash e tutje renditja e subjekteve politike në fletëvotim do të jenë nga 111 deri 135.Për këtë udhëzim u pajtuan të gjithë anëtarët e partive politike. Ilir Gashi anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së, ndonëse u pajtua me këtë udhëzim, kërkoi që të bëhet më atraktiv kombinimi i numrave.

E Adnan Rrustemi nga Lëvizja Vetëvendosje e ka mirëpritur një vendim të tillë për çka tha se kjo ndikon edhe në zvogëlimin e numrit të fletëvotimeve të pavlefshme.

Sami Hamiti, anëtar i KQZ-së nga LDK, tha se numri i subjekteve politike është mirë të jetë mbi 110.

Ndryshe, 20 parti, 4 koalicione dhe 1 kandidat i pavarur ia mësyjnë Kuvendit. Të gjitha partitë politike kanë bërë publike listën e kandidatëve, me të cilët do t’i hyjnë garës për të siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës. Nga 110 kandidatë, më shumë se 30 prej tyre, në secilën listë, janë gra.

loading…