KQZ tregon kur fillon rinumërimi i 530 vendvotimeve

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se sot në ora 16:00 do të fillojë rinumërimi i 530 vendvotimeve për të cilat u vendos sot.

“Rinumërimi i 530 vendvotimeve, për të cilat vendosi KQZ-ja, do të fillojë sot (e enjte, 17 tetor) në orën 16:00”, ka njoftuar Elezi.

Sot në KQZ është vendosur që për shkak të manipulimeve të ndryshme nga komisionerë të subjekteve politike e në bazë të të dhënave të auditimit të publikuar nga QNR-ja në 530 vendvotime të rinumërohen votat.

Ky vendim u mor sot në një konferencë për media të drejtuar nga Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së.

Derisa Burim Ahmetaj nga QNR-ja foli edhe për numërimin e votave të diasporës që ka përfunduar mbrëmë, ndërsa tha se janë në fazën e fundit që t’i hapet rrugë edhe numërimit të votave me kusht.

Sa u përket të gjeturave nga raporti i auditimit, ai prezantoi pesë rekomandime, me anë të të cilave KQZ-ja më pas votoi për rinumërim të votave.

“Rastet kur subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidatët kanë dhe numri i tyre është 81. Gjithashtu, kemi raste kur kandidati për deputet ka më shumë vota se vetë subjekti e kjo është bërë në 89 vendvotime. Po ashtu, edhe kur të gjithë kandidatët brenda një subjekti kanë më shumë vota se vetë subjekti”.

Ahmetaj tha, gjithashtu, se kanë hasur edhe në raste kur ka më shumë fletëvotime sesa janë shënuar në formularët e rezultateve.

loading…