KQZ publikon listën e qendrave të votimit për zgjedhjet në veri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar sot listën e qendrave të votimit të cilat do të hapen për zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat e veriut të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. 

Kështu ka konfirmuar për Demokracia.com zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi tha se ky institucion në mbledhjen e mbajtur të premten, mori vendimin për miratimin e listës së qendrave të votimit.

“Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e këtyre zgjedhjeve, më 14 prill 2023, KQZ-ja ka miratur listën e qendrave të votimit për këto zgjedhje. Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime ”, ka thënë Elezi.

Ai tha më tej se lista e qendrave të votimit është përgatitur në bashkëpunim dhe koordinim me organet e sigurisë.