Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shfuqizuar udhëzimin administrativ që parashihte verifikimin përmes telefonit të të gjithë aplikuesve për votim jashtë vendit.
Për këtë vendim ka njoftuar edhe Eugen Cakolli, i cili thotë se në vend të tij, u miratua një udhëzim i ri, i cili sërish parasheh verifikimin e aplikuesve, por në numër më të vogël, duke targetuar kryesisht aplikacionet e dyshimta – që përfshijnë rastet kur numri dhe e-mail adresa e njëjtë përdoren në më shumë se një aplikacion, si dhe me një mostër prej 2% të të gjitha aplikacioneve të aprovuara.
Pra, sipas tij, sërish do të ketë verifikim, që nënkupton se do të përdoret qasje e ngjashme në funksion të rritjes së integritetit të procesit, veçse kësaj here s’do të ketë bujë e reagim publik mbi motive politike, siç kishte në fillim të këtij viti.







