Votimi

KQZ: Dështoi iniciativa për largim të kryetarëve në komunat veriore

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, tha se iniciativa për largimin e kryetarëve të komunave veriore në Kosovë, ka dështuar, pasi në këtë proces nuk kanë marrë pjesë 50 për qind plus 1 e votuesve.

Sipas tij, në total kanë votuar 253 persona.

Në Leposaviq votuan 124 votues apo 0.91 për qind e shifrës totale, në Zubin Potok, 18 votues, apo 0.26 për qind, në Zveçan asnjë votues, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, 111 votues, apo 0.59 për qind e votuesve.

Të gjitha qendrat e votimit – 23 – u mbyllën të dielën në orën 19:00.

Ky proces u organizua teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve.

Rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se “procesi i votimit gjatë gjithë ditës është karakterizuar me mungesë të theksuar të interesimit nga qytetarët për të marrë pjesë në votim, pavarësisht se në muajin janar mbi 20% të qytetarëve me të drejtë vote kishin nënshkruar peticionin për largimin e kryetarëve në katër komunat e veriut të Kosovës”.

Sipas tij, nuk gjatë ditës nuk është raportuar për asnjë incident.

Dushan Radakoviq, nga Demokracia në Veprim, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk pret që të ndryshojë diçka pas këtij procesi.

“Pres presion edhe më të madh nga strukturat në pushtet, sepse do të thonë se është dhënë mundësia për të votuar, se janë dhënë disa gjëra të tjera në lidhje me nënshkrimet (peticionet), por nuk mendoj se do të ketë ndonjë përmirësim, kam frikë. Kam frikë se do të ketë edhe më shumë probleme, sepse këta kryetarë do të mbesin në pushtet de facto dhe de jure deri në tetorin e vitit tjetër, kur janë zgjedhjet e rregullta lokale”.

Shumica e qendrave të votimit u hapën në orën 07:00, përjashtuar disa që u hapën me disa minuta me vonesë për shkaqe teknike.