Lajmi i fundit

KQZ cakton 21 prillin si datë për votim për largimin e kryetarëve në veri

Komisioni Qendror Zgjedhor ka caktuar 21 prillin si datë për votimet për largim të kryetarëve në veri.

Kryetarët aktualë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat i ka bojkotuar komuniteti serb.

Në udhëzim administrativ shpjegohet edhe procesi i votimit për largimin nga detyra të një kryetari komune. Votimi për këtë çështje duhet të mbahet jo më vonë se 45 ditë pas konfirmimit se është përmbushur kuota prej 20 për qind.

Nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Për shkak të hyrjes së kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale – me asistimin e Policisë së Kosovës – në fund të majit, serbët lokalë organizuan protesta në Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.

Tensionet u përshkallëzuan në dhunë më 30 maj në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të plagosur dhjetëra persona nga të dyja palët.

BONUS VIDEO| Kurti: Synimi ynë për barazi dhe drejtësi s’ka alternativë, jemi shtet demokratik e feminist