KPMSHCK ia rrëzon edhe një vendim Xhelal Sveçlës

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës ia ka hedhur poshtë edhe një vendim Ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlës.

Këshilli ka vendosur që ta kthejë në pozitën e Drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, Valon Krasniqin, i cili ishte larguar nga kjo pozitë pas ardhjes së Sveçlës në krye të MPB-së.

“Ankuesi ka qenë i punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme sipas aktemërimit Nr.779 të datës 02.12.2013 në pozitën ‘Drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion. Më datën 19.07.2022, zëvendësdrejtoresha e Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka nxjerrë vendimin nr.1129/2022 sipas të cilit ankuesin për shkak të konfliktit të interesit e a transferuar përhershëm nga pozita Drejtor i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në pozitën Drejtor i Departamentit të Zjarrfikjes dhe të shpëtimit në kuadër të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, me arsyetimin se ndaj të njëjtit Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur Aktakuzën. PS..nr .33/2019 të datës 24.02.2021 gjë që e njëjta është konfirmuar edhe nga gjykata themelore dhe ajo e apelit të Kosovës”, thuhet në arsyetimin e vendimit.

Këshilli e ka aprovuar si të bazuar ankesën e Valon Krasniqit, shkruan Demokracia.com.

“Shfuqizohet vendimi me Nr.1129/2022 i datës 19.07.2022 i Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe lënda kthehet në rivendosje tek organi i njëjtë, i cili e ka nxjerr aktin administrativ. Detyrohet drejtori i  Departamentit për Menaxhimin e Zyrtarëve Publikë, që brenda afatit prej 15 ditë, të ndërmarrë veprimet ligjor për zbatimin e këtij vendimi ashtu siç është përcaktuar në pikën 2 të dispozitivit”, thuhet në vendimin e KPMSHCK-së. /Demokracia.com/