KPM

KPM lansoi hartën digjitale të pronësisë së mediave në Kosovë

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka publikuar sot uebfaqen Regjistri i pronësisë së mediave në Kosovë.

Përmes një vegëze në uebfaqen kryesore të KPM-së, qytetarët mund të gjejnë informata për mbi 250 të licencuarit nga ky institucion.

Kryetari i KPM-së, Jeton Mehmeti tha se regjistri i pronësisë së mediave në Kosovë është një faqe që ofron të dhëna të plota për mediat e licencura në KPM.

“Duke filluar që nga emri i të licencuarit, emri i biznesit/OJQ-së, lloji i veprimtarisë, pronësia, adresa, kontaktet, data e lëshimit të licencës, ripërtritjes dhe e skadimit të licencës, mbulueshmëria, gjuha kryesore e transmetimit dhe gjuhët tjera të transmetimit dhe detaje tjera që mund të i interesojnë publikut për mediat e licencuara.

Gjithashtu zhvillimi i kësaj faqe lidhet me zbatimin e objektivave të KPM-së, e që një prej tyre është edhe “Rritja e transparencës së të licencuarve të KPM-së”. Kryetari z.Mehmeti vuri në dukje se ky regjistër i ri ka një rol kritik në forcimin e integritetit dhe transparencës së mediave të licencuara në KPM dhe është në funksion të zbatimit të legjislacionit të KPM-së, konkretisht Rregullores KPM-2023/03, për pronësinë dhe koncentimin e të licencuarve të KPM-së”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, edhe zëvendës ambasadorja e OSBE-së, Cornelia Taylor, përgëzoi për lansimin e faqes së regjistrit të pronësisë së mediave.

“Nga ana e OSBE-së si mbështetëse e këtij projekti, janë të lumtur që shohin një rezultat të tillë të bashkëpunimit dypalësh, i cili do të ngritë transparencën e pronësisë së mediave dhe është një hap drejt përmirësimit të standardeve etike dhe profesionale të medias në vend, si dhe për rritjen e besueshmërisë së informacionit të shpërndarë nga mediat”, tha ajo. /Telegrafi/