KOSTT-i kërkon edhe 11 milionë euro për energjinë në veri, Qeveria planifikon “zgjidhje afatgjate”

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës-KOSTT ka kërkuar edhe 11 milionë euro për mbulimin e humbjeve për prodhim të energjisë në pjesën veriore të Kosovës.

Kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, në Komisionin Parlamentar për Ekonomi ka thënë se “KOSTT-i nuk ka pasur mundësi të prodhojë energji për humbjet në pjesën veriore të Kosovës”.

“Konsumi në ato komuna është regjistruar si devijim i Kosovës ndaj Evropës kontinentale. Në fillim të muajit prill KOSTT ka hyrë në fazë kritike dhe nuk do të kemi të mbajmë balancimin e sistemit. Në rast se KOSTT nuk mbulon shpenzimet pasojat financiare dhe ligjore do të jenë të mëdha”, ka thënë ai teksa ka kërkuar nga të gjithë deputetët dhe të gjitha partitë përkrahje. “Kërkojmë nga Kuvendi në koordinim me Qeverinë të gjejnë një zgjidhje për mbulimin e humbjeve deri në dhjetor të këtij viti derisa të gjendet një zgjidhje afatgjate”.

Më 5 tetor të vitit të shkuar, KOSTT-i kishte kërkuar 15 milionë euro nga shteti, ndërsa Qeveria ia kishte siguruar 10. Megjithatë, sipas KOSTT-it, buxheti ishte paraparë të mbulonte koston deri në mes të prillit. Tani, ky operator ka kërkuar 11 milionë euro “që të ruajë stabilitetin e KOSTT-it”.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka quajtur këtë kërkesë sfidë të madhe, por ka thënë se kjo është e trashëguar. Ajo ka thënë se Qeveria po e harton një plan për të zgjidhur për kohë afatgjate problemin.

“Është një sfidë e madhe me të cilën në ballafaqohemi, por jo sot por është e trashëguar dhe jemi në një situatë kur janë ndarë 10 milionë për të mbuluar humbjet. Vetëm gjatë vitit të fundit kemi pasur një rritje prej 14% në energjinë e shpenzuar në veri për bizneset ilegale që po operojnë atje. Kjo kërkon strategji afatgjate dhe nuk duhet të marrim hapa të ngutshëm, jemi në hartimin e një plani për të zgjidhur për një kohë afatgjate dhe objektivi përfundimtar është që në katër komunat e veriut të rregullohet dhe konsumatorët të trajtohen njëjtë si të gjithë qytetarët e vendit”, ka thënë ajo para deputetëve.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit, Ferat Shala i PDK-së, ka thënë se ministrja s’ka dhenë përgjigje konkrete nëse Qeveria do ta paguajë edhe këtë shifër apo jo, teksa i ka kërkuar asaj që ta ndajë me deputetët planin e Qeverisë.

Në mbrojtje të ministres, ka dalë deputetja e Vetëvendosjes, Mimoza Kusari. Ajo ka thënë se Rizvanolli “është ministre që vetëm 35 ditë”, ndërsa në grafike shihet shpenzimi prej vitit 2018.

E deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka pyetur ministren nëse ajo do të veprojë njëjtë sikur Qeveritë e kaluara apo se do të ndërpresë pagesat.