Ditën e enjte u miratua rezoluta në Kuvendin e Kosovës për rritje të pagës minimale nga 170 euro në 250 euro.
Përkundër kësaj po kërkohet të bëhet kujdes dhe përmes një analize të mirëfilltë të zbatohet në praktik. Edhe pse rritja e pagës minimale e prek sektorin privat, përmes disa vendimeve për skema pensionale që lidhen me veteranët mund të ketë kosto rreth 35 milionë euro në vit për buxhetin e shtetit.
Pavarësisht kësaj, rritja e pagës minimale po konsiderohet që mund të ndryshojë edhe bazën e aftësisë konkurruese të sektorit privat. Kurse nga sindikatat e punëtorëve nuk ka optimizëm për rritje të pagës minimale.Nga Qeveria e Kosovës shprehen se në parim janë për rritje të pagës minimale, por treguan se kanë hezitime tek pjesa e rritjes së kostos buxhetore për shkak të një vendimi që ka të bëjë me veteranët e luftës.Haki Shatri, këshilltari i kryeministrit, Ramush Haradinaj thotë për KosovaPress, se i vetmi problem për zbatimin e një vendimi të tillë është mundësia e rritjes së pensioneve të veteranëve dhe të jetë e barabartë me pagën minimale.Ndërkaq, drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka thotë për KosovaPress, se paga minimale nuk duhet të rritet pa pasur një analizë të mirëfilltë, pasi kjo do të ndikojë te aspekti i punësimit tek rinjtë brenda sektorit privat.
Zeka mes tjerash theksoi se vendimi i tillë do të rëndonte dhe mbi buxhetin e vendit në skemat pensionale dhe sociale që janë të lidhura me lartësinë e pagës minimale.Se ka nevojë për analiza më të mëdha për ngritje të pagës minimale e thotë dhe njohësi i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku.
Skepticizëm për ngritje të pagës minimale ka dhe nga ana e kryetarit të BSPK-së, Avni Ajdini, i cili thotë se deri më tani ka pasur premtime të vazhdueshme të krerëve institucional, por pa ndonjë rezultat.
Për Ajdinin rritja e pagës minimale deri në 250 euro siç është deklaruar është e pamjaftueshme dhe për këtë ai kërkoi që për shkak të rritjes së shportës së qytetarit ajo të jetë deri në 300 euro.Paga minimale në Kosovë nuk është ngritur prej vitit 2011.







