Kosovë, rreth 40 për qind e ndërmarrjeve janë mbyllur në pandemi

Situata e krijuar në Kosovë nga pandemia COVID-19, ka ndikuar në humbjen e vendeve të punës, rënie të aktivitetit ekonomik dhe rrjedhimisht rritje të shkallës së varfërisë.

Sipas parashikimeve edhe të Bankës Qendrore të Kosovë, do të ketë një ulje të rritjes ekonomike nga -2 deri në -4 për qind gjatë vitit 2021.

Një konstatim ka nxjerrë sot edhe Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK), ku kanë deklaruar se 40% e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, derisa mbi 60 për qind e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre.

Diellza Zeqiri, zyrtare ligjore në OAK, ka thënë se që nga fillimi i pandemisë COVID-19, shteti i Kosovës ka privilegjuar punëtorët e sektorit publik, derisa ka diskriminuar ata të sektorit privat.

“Rasti kur njëri nga prindërit ka punuar në sektorin publik, ka qenë e lehtë, pasi ky sektor gjatë gjithë kohës ka marrë pagat e plota edhe në këto raste kur njëri nga prindërit është dashur të qëndroj në shtëpi për mbikëqyrje të fëmijëve. Mirëpo, në rastet kur të dy prindërit kanë punuar në sektorin privat, kjo ka qenë një problematikë për arsye se shteti nuk ka menduar për këta qytetarë. Në këtë kohë të pandemisë ka qenë mjaft e vështirë për bizneset të japin paga për punëtorët në përgjithësi e posaçërisht për punëtorët, të cilët është dashur të lirohen nga puna. Sikur në shumë raste, edhe në këtë rast, shteti nuk ka menduar për të punësuarit e sektorit privat, ndërsa duke i trajtuar si të privilegjuar punëtorët e sektorit publik dhe diskriminuar punëtorët e sektorit privat”, tha Zeqiri.

Fjolla Smaili, zëdhënëse për media në OAK, tha se si pasojë e pandemisë, rreth 40 për qind e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, derisa mbi 60 për qind e ndërmarrjeve të anketuara besojnë se COVID-19 rrezikon mbijetesën e tyre.

Ajo tha se nga një analizë e bërë nga OAK del se sektorët më të rrezikuar janë sektori i prodhimtarisë, përcjellë nga HORECA hoteleri, restorant, kafiteri, sektori i ndërtimtarisë, sektori i shitjes me pakicë dhe tregtia e me shumicë.

“Rëniet e shitjes gjatë kohës së pandemisë rezultojnë të jenë në korrelacion të drejtpërdrejtë me aftësinë e ushtrimit të veprimtarisë nga ana e bizneseve. Sipas këtij hulumtimi, del se 83.6 për qind e ndërmarrjeve shprehen se kriza ka zvogëluar aftësinë e tyre punuese, me ç’rast 39 për qind e ndërmarrjeve janë mbyllur tërësisht, 30.7 për qind punojnë me kapacitet të reduktuar, ndërsa 13.8 për qind punojnë me orar të shkurtuar. Vetëm rreth 2 për qind e ndërmarrjeve rezultojnë të mos jenë afektuar aspak, ndërsa pjesa tjetër kanë organizuar një pjesë ose të gjitha aktivitetet nga shtëpia”, tha Smaili.

Sipas të dhënave të OAK-ut, numri i punëtorëve të larguar nga puna sillet rreth 30 mijë dhe nëse nuk do të ketë përkrahje të duhur të shtetit gjatë muajve në vijim, kjo shifër mund të arrijë deri në 50 mijë apo 70 mijë qytetarë të papunë.