Kosovë/ Rastet e reja me COVID-19 sipas moshës, 20 vjeçarët më të prekurit

Ditëve të fundit një numër i madh i të rinjve po infektohen me coronavirus, ku më të prekurit janë ata nga 20 deri në 29 vjeç.

Edhe në 24 orët e fundit, ku janë konfirmuar 1 mijë e 682 raste të reja, janë 418 raste ku të infektuarit janë nga mosha 20 deri në 29 vjeçare.

Nga këto raste, janë 85 të konfirmuar në Prishtinë, 34 në Gjakovë, 33 në Ferizaj, 31 në Pejë, 22 në Gjilan dhe të tjerë të shpërndarë në qytete tjera.

Nga COVID-19 po preken shumë edhe ata nën moshën 20-vjeçare, ku në 24 orët e fundit, 186 raste të reja të konfirmuara janë të moshave nga 10 deri në 19 vjeç.

Po ashtu, 48 raste të reja janë konfirmuar tek fëmijët nga 0 deri në 9 vjeç.

Pas atyre nga 20 deri në 29 vjeç, më të prekur janë edhe ata nga 30 deri në 39 vjeç, ku janë konfirmuar 307 raste me COVID-19.

Pastaj nga mosha 40 deri në 49 vjeç janë konfirmuar 297 raste, kurse nga 50 deri në 59 vjeç janë konfirmuar 214 raste.

Nga 60 deri në 69 vjeç janë konfirmuar 174 persona të infektuar, ndërkaq 75 të tjerë janë nga 70 deri në 79 vjeç.

Mbi 80 vjeç janë konfirmuar 13 persona.

Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 11 qytetarë të infektuar me COVID-19.

Sipas komunikatës për medie, 1 mijë e 682 qytetarë kanë rezultuar pozitiv.

Numri i rasteve aktive me coronavirus në Kosovë është 19 mijë e 695 raste.

Ndërkaq, në 24 orët e fundit janë shëruar 263 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 107.288.

Gjatë të shtunës në Kosovë janë dhënë 18 mijë e 776 doza të vaksinës anti-COVID-19.

Ku nga fillimi i vaksinimit janë dhënë 707.793 doza të vaksinës, e deri më sot 236.405 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.