Kosovari nga Skenderaj komplet 10% e Trustit ia dhuron fondit për mbrojtjen e Thaçit në Hagë

Arif Behrami, anëtar në grupin punues për hartimin e Planit Komunal për Menaxhimin e Mbeturinave në Komunën e Skënderajt, i ka ndarë të gjitha mjetet financiare të nxjerra nga 10 për qindëshi i Fondit të Kursimeve Pensionale për Fondacionin për Mbrojtje Juridike të Hashim Thaçit, ish-president.

Behrami një gjë të tillë e ka kumtuar përmes ‘Facebook’-ut të tij, i cili thotë se mori pëlqimin e familjarëve për këtë vendim.

“Sot në konsultim me familjën, vendosa që mjetet të cilat më takojnë nga 10% e kursimeve pensionale në Trust, t’i dedikoj fondit për mbrojtjën e Hashim Thaçit dhe UÇK-së në Hagë”, thuhet në postimin e tij.

Ky fondacion ka për qëllim mbështetjen e mbrojtjes juridike të ish-presidentit Thaçi, duke siguruar mbështetje financiare për shpenzimet e procesit të tij gjyqësor në Hagë.

Ish-presidenti Thaçi, bashkë me ish-krerët e UÇK’së, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, po akuzohen nga Prokuroria e Specializuar për krime lufte.

Sidoqoftë, bordi i këtij fondacioni ka thënë se do t’i drejtohet opinionit publik për fondin në fjalë, për të dhënë sqarime shtesë. /Gazeta Express/