Deklarata e Ambasadorit

Kosovarët urojnë SHBA-të për ushtrinë: “Mbahu nënë e mos ke frikë, se i ke djemtë në Amerikë”

Ambasadori i ri i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi sonte se transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura është hap pozitiv.

Ai në një intervistë për televizionin publik tha se është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

“Liderët kosovarë kanë folur se si Forcat e Armatosura do të mund të merrnin pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë shtetit, që Kosova e ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, mund edhe t’i kontribuoj asaj dhe se e tërë kjo është e mirëseardhur”, është shprehur diplomati amerikan.

Kjo deklaratë e Kosnettit i ka gazuar pa masë kosovarët sonte, të cilët gjatë ditës u zhgënjyen me deklaratën e sekretarit të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha Kosova nuk duhet ta ketë Ushtrinë në këto momente, shkruan Ballkani.info.

Pas deklaratës së ambasadorit amerikan, në rrjetet sociale ka shpërthyer entuziasmi, duke e uruar Amerikën për mbeshtetje të vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Mbahu nënë e mos ke frikë, se i ke djemtë në Amerikë”, janë vargjet që po postohen nëpër rrjetet sociale.

Kuvendi i Kosovës më 14 dhjetor voton për transformin e FSK-së në Ushtri të rregullt. /Ballkani.info/