Kosovarët në vendet e BE-së në hall, nuk iu njihen patentë-shoferët

Mosnjohja ndërkombëtare e dokumenteve personale të Kosovës është bërë shqetësim i madh për shumë qytetarë të Kosovës, të cilët jetojnë jashtë vendit. Osman Berisha nga qyteza e Malishevës në Kosovë, i cili tash e tre vjet jeton në Itali, thotë që nuk ju njihet patentë-shoferi nga autoritetet italiane, gjë që siç thotë ai, është një problem që po përcjell në përgjithësi qytetarët e Kosovës që jetojnë në Itali.

“Problemi dhe shqetësimi i shumë qytetarëve që unë njoh e që jetojnë në Itali është mosnjohja e patentë-shoferit të Kosovës. Në shumicën e rasteve kur policia lokale na ndalon, na merr patentën dhe na japin dënime që gati janë të papërballueshme. Disa persona që unë njoh, kanë marrë dënime nga policia italiane për shkak se kur janë ndaluar, e kanë pasur patentë-shoferin e Kosovës”, tregon Berisha.

Ai thotë se në të kaluarën ka pasur tolerime edhe nga policia lokale, por tani çdo person që ndalohet dhe ka patentën e Kosovës, ata menjëherë ia konfiskojnë.

“Kam shoqëri këtu në Itali që janë nga Moldavia dhe Shqipëria e që atyre ju njihet patenta-shoferi e vendit prej nga vijnë. Ata me patentë-shoferët që kanë marrë në vendin e vet, mund të vozisin në Itali.
Unë kam biseduar edhe me ambasadën e Kosovës këtu në Itali, ata e dinë për këtë problem, por më kanë thënë nuk kemi çfarë të bëjmë. Nëse ata nuk kanë çfarë të bëjnë, çfarë të bëjmë ne?!”, shton Berisha.

Autoritetet në Kosovë thonë se që nga viti 2013 kanë filluar negociatat me disa nga
vendet e Bashkimit Evropian që të arrijnë marrëveshje reciproke për njohje të ndërkombëtare të dokumenteve personale të Kosovës, konkretisht për njohje të patentë-shoferëve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Izmi Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë, se si me shtete tjera të BE-së edhe me Italinë nuk kanë arritur te një marrëveshje përfundimtare për njohje të patentë-shoferëve.

“Që nga viti 2013 kemi filluar të negociojmë me shtete të ndryshme, duke filluar me Austrinë, Italinë, Slloveninë, Kroacinë e të tjera, por nuk kemi arritur deri më tani ndonjë marrëveshje. Negociatat e fundit me autoritetet italiane kanë qenë në muajin gusht, por ende nuk kemi asgjë zyrtare për një marrëveshje reciproke për njohje të patentë-shoferëve”, thekson Zeka.

Ai shton se si Ministri, i kanë bërë angazhimet e duhura për njohje të patentë -shoferëve dhe se nuk i dinë arsyet e shteteve për mosarritje përfundimtare të këtyre marrëveshjeve.

“Ne, si Ministri, kemi bërë krejt çfarë është e mundur që të arrijmë marrëveshje dhe jemi të vetëdijshëm për problemet, me të cilat ballafaqohen qytetarët tanë që jetojnë në këto shtete”, thekson Zeka.

Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të përpjekjeve të saj për njohje ndërkombëtare të dokumenteve personale të qytetarëve të Republikës së Kosovës, deri në tani ka nënshkruar marrëveshje me Republikën e Shqipërisë dhe atë Maqedonisë së Veriut.

Në bazë të këtyre marrëveshjeve, palët kontraktuese njohin reciprokisht zëvendësimin, konvertimin e patentë-shoferëve/lejeve të drejtimit të vlefshme, të lëshuara nga autoritetet kompetente të palës tjetër kontraktuese, në pajtim me legjislacionin e tyre të brendshëm, në favor të mbajtësve të patentë-shoferëve/lejeve të drejtimit, të cilët kanë fituar të drejtën e vendqëndrimit të ligjshëm – rezidencën normale në territorin e vendit të tyre.

Në shkurt të këtij viti ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Ekrem Mustafa, pati dërguar në Ministrinë e Punëve të Jashtme kërkesat për marrje të rekomandimit për miratim në parim me shtetet e BE-së për njohje reciproke të patentë-shoferëve.

Ministri Mustafa kishte kërkuar që ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverive të Republikës Federale Gjermane, Konfederatës Helvetike, Republikës Franceze dhe Republikës së Malit të zi, të fillohet nisma për njohje reciproke të patentë-shoferëve.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, por nuk ka arritur të marrë ndonjë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Të njëjtin problem me patentë-shofer e ka edhe Altin Kelmendi, i cili që nga viti 2007 jeton në Itali.

“Ka shumë njerëz që vozisin me patentë-shofer të Kosovës këtu në Itali, por në momentin që ndalohen nga policia italiane patenta iu sekuestrohet dhe dënimet shkojnë fillimisht 150 euro, por nëse lënda shkon në gjykatë atëherë dënimi arrin deri në 9 mijë euro”.

“Ne nuk po kërkojmë të na njihet komplet patentë-shoferi i Kosovës, por të na mundësohet që të testohemi vetëm për vozitje dhe jo në anën teorike, pasi që shumë shqiptarë të Kosovës këtu në Itali nuk e njohin mirë gjuhën për të arritur të pajisen më patentë të shtetit të Italisë”, thotë Kelmendi.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme vitin e kaluar ka lansuar patentë-shoferin me dizajn të ri, të cilët janë të pajisur me teknologjinë e fundit për siguri të dokumenteve dhe në harmoni me direktivat e Bashkimit Evropian.