Vlorë

Kosovarët interesohen të blejnë shtëpitë e braktisura të këtij fshati në Vlorë

Kanina ose siç njihet ndryshe ballkoni i Vlorës, një nga fshatrat më të bukur në kurorën e gjelbër të qytetit bregdetar, po shkon drejt shpopullimit.

Prej vitesh të rinjtë kanë zgjedhur të emigrojnë duke lënë vetëm të moshuarit.

Banorët e mbetur tregojnë se shkaku kryesor i largimit masiv është bërë gjendja e vështirë ekonomike.

“Nuk dëgjojmë më në fshat një zë fëmije apo të qarë fëmije , pasi nuk ka më fëmijë kanë ikur së bashku me prindërit duke na lënë vetëm në pleqtë, shprehet një i moshuar.

“Më ka marrë malli të mbledh njëherë fshatin si dikur , dhe do marr fizarmonikën do dal në sheshin e fshatit dhe do bëjë muzik për të mbledhur ata pak banorë, më shumë se 30 vite asnjë aktivitet kulturor nuk ka parë ky fshat, se nuk ka më rini, dhe qendra kulturore e shkatërruar, shprehet i moshuari tjetër për Vizionplus.

“Kam ngelur “ qyqar” shprehet një moshatar, asnjë nga fëmijët nuk është këtu kemi ngelur vetëm fare”.

Janë shumë pak të rinj që kanë mbetur, ndërsa edhe shkolla po shkon drejt mbylljes për shkak të numrit të ulët të nxënësve.

Ndërkohë, sipas banorëve shumë të huaj nga Italia, por edhe nga Kosova po kërkojnë të blejnë shtëpi në Kaninë

Në këtë fshat ka pasur më shumë se 2400 banorë, ndërsa sot nuk janë më shumë se 250. Shumica e shtëpive janë bosh ose të rrënuara.