Kosova U19

Kosova vazhdon shkëlqimin në kualifikime për evropian, mposht thellë Luksemburgun

Futbollistet e Kosovës U19 e kanë fituar me rezultat të lartë edhe ndeshjen e dytë në kuadër të raundit të dytë të kualifikimeve për Euro 2024.

Të premten në Gjibraltar, futbollistet e reja të Kosovës fituan 4:0 ndaj Luksemburgut.

Rreze Gashi shënoi golin e parë në minutën e 40-të.

Me të nisur pjesa e dytë, në minutën e 49-të, Sahare Berisha shënoi për 2:0. Dominimi i Kosovës u konkretizua me golin e tretë, të cilin e shënoi Alba Shabani në minutën e 54-t. Në minutën e 82-të lojtarja e Luksemburgut, Ten Raa shënoi autogol për rezultatin final, 4:0.

Tri ditë më parë, Kosova U19 fitoi 5:0 ndaj Gjibraltarit.

Më 8 prill e ka ndeshjen vendimtare për vendin e parë në grup, ndaj Izraelit. Kosova garon në Ligën B, grupi i tretë. Prej ligës B kualifikimi në Evropian nuk është i mundur.

Nëse e fiton grupin, Kosova U19 promovohet në Ligën A për ciklin e ardhshëm kualifikues.