Kosova

Kosova sërish në mesin e vendeve më të lumtura në botë

Kosova, si nëpër shumë raporte e anketa që masin lumturinë e popullit, sërish duket që qëndron goxha lartë. Ditëve të fundit, është publikuar Raporti Botëror i Lumturisë nga Rrjeti për Zhvillim të Qëndrueshëm i OKB-së. Lumturia, është vlerësuar nga qytetarët për periudhën 2021-2023.

Raporti përfshin gjashtë veti kyçe që kontribubojnë në shpjegimin e vlerësimit të jetës:

“Gjendja ekonomike, përkrahja sociale, pritshmëritë për një jetë të shëndeteshme, liria, bujaria dhe korrupsioni”.

Megjithatë, renditja e lumturisë, sipas raportit, nuk është bazuar në asnjë prej këtyre vetive, por vetëm në përgjigjet e pyetjes për “vlerësimin e jetës”.

Kur renditen kosovarët në vlerësimin e lumturisë së tyre?

Në renditjen me mbi 140 shtete, Kosova del e 29-a. E para, si edhe herëve të tjera, Finlanda.

Kur renditet rinia e Kosovës?

Pjesë e raportit, është edhe matja e lumturisë për moshën nën 30 vjeç, po ashtu edhe kjo për një periudhë nga viti 2021 në 2023.

Ëdhe këtu, kosovarët dalin goxha lartë. Rinia e Kosovës për nga lumturia është renditur e 23-a. Rininë më të lumtur në botë, sipas raportit, e ka Lituania.

Kur renditen të moshuarit e Kosovës?

Të moshuarit në Kosovë për nga lumturia renditen pak më poshtë se sa dy pikat e lartëpërmendura. Kosova është e 39-a për nga lumturia e të moshuarve.

Si ka “ndryshuar” lumturia?

A po bëhet jeta më e mirë apo më e keqe, dhe për cilat grupe? Treguesi më i hollësishëm i nivelit kombëtar se si ka ndryshuar cilësia jetës në çdo vende jepet në figurat më poshtë.

Sipas raportit, shtatëmbëdhjetë vende kanë rritje në vlerësimet mesatare të jetës me një pikë të plotë ose më shumë, krahasuar me shtatë vende me ulje të një pike ose më shumë në shkallën 0 deri në 10. Midis fituesve më të mëdhenj, ka disa vende në Evropën Lindore ku rritjet ishin më shumë se një e treta e rezultateve mesatare të lumturisë së tyre në vitet 2006-2010. Disa nga vendet më të këqija, veçanërisht Libani dhe Afganistani, kanë vlerësuar në përgjysmë lumturinë e jetës së tyre.

Për ndryshimin e lumturisë, Kosova renditet më së larti (krahasuar me renditjen e saj në pikat tjera). Vendi ynë është renditur i 12-ti në listë.