Kosova refuzon ekstradimin e Afrim Ismailoviçit në Maqedoninë e Veriut

Gjykata Themelore e Prishtinës ka njoftuar se nuk do ta lejojë ekstradimin e Afrim Isamiloviçit nga Kosova në Maqedoninë e Veriut. I njëjti është i dënuar me burgim të përjetshëm për rastin “Monstra”, nga shteti fqinj.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në çështjen e ekstradimit të të kërkuarit për ekstradim A.I. nga Republika e Maqedonisë Veriore, i kërkuar për tu ekstraduar nga Republika e Kosovës për në Republikën e Maqedonisë Veriore”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës, për Gazetën Express.

Themelorja në Prishtinë ka konstatuar se pretendimet e Prokurorisë Speciale të Kosovës janë të pabazuara.

“Gjykata pas shqyrtimit të kërkesës për ekstradim si dhe pas shqyrtimit dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka konstatuar se pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës janë të pabazuara, pasi që faktet dhe provat nuk ofrojnë arsye për të lejuar ekstradimin e të kërkuarit A.I. dhe po ashtu në rastin konkret ekzistojnë pengesat ligjore që pamundësojnë ekstradimin e të njëjtit”, thuhet më tej në përgjigje.Reklamë

Në ndërkohë Gjykata Penale e Shkupit më 23 shkurt të këtij viti ka dënuar me burgim të përjetshëm Alil Demirin, si dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve, më 12 prill 2012, pranë liqenit të Smillkovës, rreth 12 kilometra nga Shkupi. Dy të akuzuarit e tjerë Fejzi dhe Haki Aziri, gjykata i dënoi me 15 dhe nëntë vjet burgim. Një person tjetër, Sami Luta është liruar nga akuza në mungesë të provave.

Viktimat ishin katër të rinj të moshës prej 18 deri 20 vjeç dhe një tjetër i moshës 44-vjeçare. Trupat e tyre të pajetë janë gjetur rreth orës 22: 30 të 12 prillit nga disa persona që po peshkonin në liqenin artificial.