Kosova pranon 38.400 vaksina nga COVAX-i, për pak javë edhe 521 mijë të tjera

Kosova ka pranuar sot edhe 38.400 doza të vaksinës “AstraZeneca” nga COVAX. Kjo është bërë e ditur nga UNICEF-i, që njoftoi se me dërgesën e katërt me radhë të këtij programi, në total numri i dozave të dhuruara për Kosovën ka mbërritur në 211 mijë doza të vaksinës COVID-19.

Gjithashtu, është paralajmëruar edhe një dërgese prej mbi gjysmë milioni dozash të vaksinës “Pfizer”, që pritet të mbërrijë në javët e ardhshme.

“Një dërgesë tjetër prej 521,820 dozave të vaksinës Pfizer-BioNTech do të arrijë në javët e ardhshme. Me vaksinat e dorëzuara deri më sot dhe arritjen e vaksinave tjera në javët e ardhshme, UNICEF-i përmes COVAX-it do të mbulojë 20% të popullsisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e UNICEF-it.