Kosova planifikon të aplikojë për grantet evropiane për projekte të reja infrastrukturore

Kosova po planifikon që të aplikojë për projekte të reja infrastrukturore në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), si strukturë e përbashkët e Komisionit Evropian, institucioneve financiare, donatorëve dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një njoftim të Ministrisë së Infrastrukturës, bëhet e ditur se ministri Arban Abrashi ka marrë pjesë në takimin e radhës të Komitetit Drejtues të WBIF-së.

Sipas njoftimit, në takim pritet hapja e mundësisë për aplikime për projekte të reja, për financime nga grantet e WBIF-së.

Në njoftim thuhet se Abrashi është shprehur falënderues që projekti i parë në kuadër të Planit për Ekonomi dhe Investime të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është “Autostrada e Paqes” që lidh Kosovën me Serbinë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë shumë seriozisht mundësitë që Plani i BE-së u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar dhe integruar ekonomitë e rajonit”, ka thënë Abrashi, sipas njoftimit.

Për të përfituar nga ky plan, Kosova thotë se e ka zhvilluar planin për investime për periudhën 2021-2025, ku përfshihen “projekte të propozuara për t’u financuar nga burime të ndryshme të fondeve, duke përfshirë burimet IPA III dhe WBIF”.

“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë është duke forcuar planifikimin e ardhshëm dhe synon të paraqes një vizion dhe objektiva afatgjatë për zhvillim për dekadën e ardhshme, të harmonizuara me marrëveshjen e gjelbër të BE-së, agjendën evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Duke qenë se përkrahja nga BE për Kosovën është nga më të mëdhatë për kokë banori në botë, Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh IPA III dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si një ‘shtyllë’ të rritjes ekonomike të vendit”, përfundon komunikata.