Kosova për vitin 2022 pret rritje ekonomike me 3%

Megjithëse lëvizja e çmimeve por edhe energjia elektrike po shihen si mundësi për ngecje në aspektin ekonomik, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, shprehet optimist për zhvillimet ekonomike në vend për këtë vit.

Kurse drejtori i Odës Ekonomike Amerikane (OAK), Arian Zeka, tha se Qeveria duhet të promovojë më efektshëm rritjen e investimeve të huaja direkte, por edhe të inkurajojë rritjen e investimeve të brendshme, si ndër elementet më të rëndësishme të rritjes së përshpejtuar ekonomike.

Guvernatori Mehmeti: Projeksionet e BQK-së parashohin rritje ekonomike me 3 %

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, shprehet se sa i përket vitit 2022, projeksionet e BQK-sё sugjerojnë se aktiviteti ekonomik do të shënojë rritje me 3.0% pёr qind.

“Ngadalësimi i rritjes së aktivitetit ekonomik pritet të jetë kryesisht pasojë e rritjes më të ulët të kërkesës së brendshme”, tha ai.

Ai ka folur edhe për komponentët që kontribuuan në rritjen e lartë të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2021.

“Rritja e konsumit prej 7.8 për qind, rritja e investimeve prej 10.2 për qind por edhe rritja më e ngadalësuare deficitit të eksporteve neto prej 1.9 për qind”, tha ai.

Zeka: Qeveria duhet të promovojë më efektshëm rritjen e investimeve të huaja direkte

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane (OAK), Arian Zeka, tha se Qeveria duhet të promovojë më efektshëm rritjen e investimeve të huaja direkte, por edhe të inkurajojë rritjen e investimeve të brendshme, si ndër elementet më të rëndësishme të rritjes së përshpejtuar ekonomike.

“Qeveria e Kosovës duhet të ndjekë një agjendë dinamike të reformave të cilat do të kishin në qendër fuqizimin e sektorit privat, si shtylla më e rëndësishme e rritjes ekonomike. Në një raport të fundit, Banka Botërore i rekomandon Kosovës që të përqendrohet në rritjen e produktivitetit të firmave, përmes zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe rritjen e eksporteve”, tha Zeka për RTKlive.

Sipas tij në këtë aspekt mbështetja e ndërmarrjeve prodhuese është e një rëndësie të madhe për ruajtjen dhe përmirësimin e përparësive konkurruese, përfshirë këtu edhe përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e këtij sektori.

“Ngritja e paralajmëruar e normave të interesit do të vështirësonte financimin për ndërmarrjet private, e rrjedhimisht do të kishte efekt të kundërt me synimet e sipërcekura. Po ashtu, furnizimi jo i sigurt aktual me energji elektrike vështirëson operimin e të gjitha ndërmarrjeve, e veçanërisht atyre prodhuese, prandaj duhet adresuar dhe zgjidhur me prioritet të lartë. Vazhdimi i situatës aktuale do të frenonte eksportet, të cilat fatmirësisht kanë shënuar një rritje të kënaqshme në dy vitet e fundit”, tha ai.

Pavarësisht se kanë mbetur edhe pak muaj deri në përfundim të vitit, sipas tij Qeveria duhet të përpiqet që të iniciojë zbatimin e të gjitha projekteve të investimeve kapitale të parapara për vitin 2022, meqë këto investime kanë efektin më të lartë në rritjen e autputit ekonomik, si dhe për nxitjen e aktivitetit ekonomik të sektorit privat.