Kosova për një muaj importoi rreth 500 milionë euro mallra, kryeson Serbia

Eksporti i mallrave në muajin mars 2022 kishte vlerën 88.6 milionë euro, ndërsa importi 493.9 milionë euro, që është një rritje prej 43.3% për eksport dhe 29.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Më së shumti mallra importuam nga Serbia.

Kosova po vazhdon të jetë e varur nga importi i mallrave. Edhe gjatë muajit mars të këtij viti shumë mallra nga shtetet e huaja kanë hyrë në vendin tonë.

Nuk do shumë analizë që të tregohet se Serbia vazhdon të jetë e para në këtë listë, duke lënë pas Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“… importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022 arritën në 93.2 milionë euro, ose 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5%), Shqipëria (5.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%)”, thuhet në raportin e ASK-së, përcjell Demokracia.com.

Kurse, importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 205.4 milionë euro ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1%.

“Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.5%), etj.”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin mars 2022.

Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 26.4% në muajin mars 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, përkatësisht në vlerë prej 405.3 milionë euro, krahasuar me deficitin prej 320.7 milionë euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 17.9%.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 28.0% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 23.7% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 3.2% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.4% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.8% e përbëjnë produktet minerale.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.0% e përbëjnë produktet minerale; 12.0% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11.0% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 10.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.4% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 7.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.8% e përbëjnë mjetet e transportit, etj”, ka treguar ASK, përcjell Demokracia.com.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 25.2 milionë euro, ose rreth 28.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 27.2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (7.2%), Itali (5.5), Austria (3.5%), etj.

Në muajin mars 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 34.1 milionë euro ose 38.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.5%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin Maqedonia e Veriut (14.1%), Shqipëria (11.0%), Serbia (7.7), Mali i Zi (4.5%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 29.1 milionë euro ose 32.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (19.3%), dhe Zvicra (6.7%).

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 205.4 milionë euro ose 41.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 11.1%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.6%), Greqia (4.8%), Italia (4.5%), etj.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin mars 2022 arritën në 93.2 milion Euro, ose 18.9% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 30.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.5%), Shqipëria (5.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 195.2 milionë euro ose 39.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin Turqia (13.8%) dhe Kina (10.5%).

Më 2020, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon prej nga Kosova importonte mallra, Maqedonia e Veriut e dyta, ndërsa Serbia e treta.

Në vitin 2021, trendi ndryshon. Serbia kthehet në vendin e parë, me rritje prej 76%.

Në të kaluarën, Lëvizja Vetëvendosje i rrotullonte edhe kamionët që importonin mallra nga Serbia dhe ishte zotuar për reciprocitet. /Demokracia.com/