Menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës ka vendosur që të bëjë një investim, mirëpo jo për të mirën e qytetarëve, por për vete. Në KEK është dhënë një tender për rregullimin e zyrave në vlerë të 2 mijë e 600 eurove. Më këto para do të blihen disa lloje të orendive dhe nuk do të mungojë as tavolina për takime ovale.
Nuk është e largët koha kur Kosova ka qenë e zhytur në krizë energjetike dhe janë aplikuar reduktime të ashpra. Po flasim për një situatë të dy javëve më parë.
Mirëpo, duket se këtë gjendje të rëndë e ka harruar shumë shpejt menaxhmenti i Korporatës Energjetike të Kosovës, që ka vendosur t’i shpenzojë disa para për komoditet dhe rehati, shkruan Demokracia.com.
Në KEK, gjatë datës së djeshme është dhënë një tender për rregullimin e zyrave në vlerë të 2 mijë e 600 eurove.
Në fakt, me këto para është planifikuar të blihen disa karrige, ormanë, ulëse dhe një tavolinë.
Furnizimin me këto produkte do ta bëjë kompania “Kater A”, që është shpallur fituese e tenderit në mesin e pesë kompanive garuese.
“Furnizim me orendi për zyre. Vlera e parashikuar e kontratës: 2 604,00. Data e dhënies së kontratës 08.09.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 15.09.2022. Numri i tenderëve të pranuar: 5. Emri dhe adresa e operatorit ekonomik, të cilit i është dhënë kontrata “Kater A” SH.P.K. nga Prishtina”, shkruan në njoftimin e shpallur në e-prokurim, përcjell Demokracia.com.

Në dosjen e tenderit është treguar se do të blihen 14 produkte të ndryshme për zyre.
“Karrige Statike, Copë 8. Tavolinë për takime ovale, Copë 1. Orman Gjysëm i Hapur me 5 nivele, Copë 2. Orman me 5 nivele, me dyer dhe xham, Copë 2. Ulëse njëshe, Copë 1”, thuhet në dosjen e tenderit.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është përgjegjëse për prodhimin e energjisë elektrike, kurse për furnizim është Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS).

Në fund të muajit korrik, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka paralajmëruar një dimër “shumë të pasigurt”, kurse më 9 gusht ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, (ZRRE) shtrenjtimin e tarifave të rrymës.
Në mes të paralajmërimeve për një dimër shumë të pasigurt, më 4 gusht, Qeveria e Kosovës miratoi disa masa emergjente për furnizimet me rrymë. Në këto masa përmendet mbështetja për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit. Por, nuk përmenden konkretisht se për çfarë masash bëhet fjalë./Demokracia.com/








