Kosova në kolaps shëndetësor: IKSHPK nuk i riteston më ata që kanë simptoma të koronavirusit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për personat të cilët po dalin pozitiv me COVID-19, nuk po bën më ritestime për të parë se a janë shëruar nga ky virus këta persona. Sipas informacioneve IKSHPK, ka njoftuar të infektuarit se nga data kur dalin pozitiv me koronavirus e deri në 2 javë nga ajo datë, atë cilësohen si të shëruar pa iu bërë ritestim fare.

Sipas IKSHPK personat të cilët dalin pozitiv me COVID-19, mund të dalin nga izolimi shtëpiak 14 deri në 16 ditë nga data kur ata kanë dalë pozitiv.

Kështu ka bërë të ditur për Metron një qytetar me iniciale L.H (emër i njohur për redaksinë), nga Suhareka.

I njëjti është testuar për koronavirus me datë 13 nëntor në IKSHPK në Prizren, derisa rezultati se është pozitiv me COVID-19, i kishte dalë me 16 nëntor.

Ky qytetar ka treguar se pasi ka dalë pozitiv, është telefonuar nga IKSHPK, ku edhe i kanë bërë të ditur se 14 deri 16 ditë nga data e konfirmimit mund të dalë nga izolimi shtëpiak.

“Mua më kanë thirr IKSHPK dhe më thanë se ti me 16 nëntor ke dalë pozitiv dhe me 30 nëntor mundesh me dalë nga izolimi shtëpia. Kur i pyeta se a mundem të bëjë ritestim në COVID-19, për të parë se a jam shëruar nga virusi, përgjigja e tyre ka qenë se nuk bëjmë më ritestim dhe më thanë se ti cilësohesh i shëruar automatikisht pas 14 ditëve, pa bërë ritestim fare”, ka thënë ky qytetar.

Sipas rekomandimeve të para të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), që një person të konsiderohej i shëruar dhe të lirohej nga izolimi, paraprakisht duhej të dilte negativ në dy testime me metodën PCR, ku distanca kohore mes dy testeve, duhej të ishte 24 orë.

Sipas të dhënave të IKSHPK, të publikuara më 23 nëntor, numri i përgjithshëm i të shëruarve ka arritur në 21.396.

Numri total i rasteve pozitive është 34.940 raste nga 132.728 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 926 raste të vdekjes.