Ditë zie

Kosova në ditë zie – Qytetarët mendojnë se djemtë duhet të edukohen se si të sillen me vajzat

E mërkura u shpall ditë zie.

Me vendim të presidentes Osmani, Kosova këtë ditë ishte në zi shtetërore, në kujtim të të gjitha grave dhe vajzave të vrara si rezultat i dhunës në baza gjinore.

Një vendim i tillë, ka disa obligime për institucionet shtetërore.

“Duhet që të gjithë flamujt në institucionet shtetërore të vendosen në gjysmë shtizë, duke përfshirë edhe misionet ushtarake e diplomatike që janë jashtë Kosove. Kjo është kushti i parë. E kushti i dytë është që të gjitha aktivitetet të cilat janë paraparë të zhvillohen sot, të karakterit festiv, artistik e sportiv, të anulohen për ndonjë datë tjetër”, tha njohësi i protokollit, Tomor Avdia.

Dy vrasjet e fundit, kanë shqetësuar edhe qytetarët.

Si formë e parandalimit të këtyre rasteve, shihet edukimi i djemve që në moshë të vogël për mënyrën se si duhet të sillën në raport me vajzat.

“Drejtë me fol, vajzat janë gjithmonë ma ultë se vllau. Edhe vajzat bëjnë çdo gjë për vllaun e vet. Kështu që djemtë duhet me u eduku prej fëmijërisë, në çerdhe, në shkollë e kudo, se qysh me u sill, qysh mu kon t’butë me gjininë femërore, mos me anashkalu, me thanë “oh, ti je çikë”, “oh, ti je gru”, “ti s’bon k’to”, “ti s’bon ato”. Këto i kemi ni 100 herë edhe në shpi të huja, por i kemi përjetu edhe vet. “Mshele gojën”, “mos fol” , “ti duhesh me duru”, “ti duhet me pas durim”, puna është që njeri duron e krejt, por deri kur?”, tha qytetarja Fatime Tahiri.

“Nuk është punë e shtetit këtu, por duhet të ketë edukatë dhe me gjetë gjuhë të përbashkët. Nëse nuk gjejnë gjuhë të përbashkët si femra, si mashkulli, katastrofë, se këto nuk ndalen kurrë. Këto janë të kota, badihava janë, se vjen moment”, tha një qytetar tjetër, Sylejman Muçiqi.

Nga paslufta, numri i vajzave dhe grave të vrara në Kosovë, llogaritet të jetë 99.

VIDEO BONUS: