Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka ndaluar importin e kafshëve të gjalla dhe derrave (si dhe produkteve të derrit) nga Serbia në Kosovë.

AUV ka vendosur këtë masë ndalese të përkohshme për shkak të shpërthimit të sëmundjeve “Gjuha e kaltër” dhe “Murtaja afrikane e derrit” në Serbi.

“Pas njoftimeve të publikuara në sistemin ADIS dhe WAHIS për konfirmim të shpërthimit të sëmundjes Gjuha e Kaltër – BT dhe Murtaja Afrikane e derrit – ASF në shtetin e Serbisë, me qellim parandalimi të përhapjes se sëmundjeve në vendin tonë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur masë ndalese të përkohshme për importin e kafshëve të gjalla të llojit gjedhe, dele, dhi dhe derra (produkteve të derrit) nga i gjithë territori i Republikës së Serbisë”- thuhet në njoftimin e AUV.

AUV theksoi se institucionet që funksionojnë në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Policia e Kosovës, Doganat, duhet të ngrisin masat e nivelit të kontrollit në të gjitha pikat kufitare për të mos lejuar hyrjen në Kosovë të këtyre kafshëve si dhe të produkteve të derrit nga Serbia në Kosovë.

“Vigjilencë e shtuar e kontrollit do të ushtrohet edhe në bagazhet personale të pasagjerëve, për të ndaluar hyrjen e çfarëdo lloji të produktit të derrit, qe hynë ne kategorinë e produkteve bartëse të sëmundjes se Murtajës Afrikane të Derrit. Derisa vendimi është në fuqi qytetaret e kanë të ndaluar kalimin kufitar me çfarëdolloj produkti te derrit qe ka origjinë nga Serbia, çoftë edhe si ushqime gjatë udhëtimit”- ka theksuar AUV.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka dhënë shpjegime për sëmundjet “Gjuha e kaltër” dhe “Murtaja afrikane e derrit”.

Gjuha e Kaltër është sëmundje virale e cila transmetohet përmes pickimit të insekteve të llojit Colicoides (mushkonjave). Nga kjo sëmundje preken ruminantet shtëpiak (gjedhet, delet dhe dhitë). Prej këtyre me e ndjeshme është delja pastaj dhitë dhe gjedhi. Shenjat klinike dhe ngordhjet shfaqen vetëm tek delja. Gjedhi shërben si rezervar i sëmundjes.

Mortaja Afrikane e Derrit është një sëmundje infektive virale që prek derrat e egër dhe ata shtëpiak. Kjo sëmundje shkaktohet nga virusi i sëmundjes së derrit (ASFV) dhe është e njohur për rezistencën dhe ngordhshmërinë e lartë tek derrat.

Këto sëmundje nuk janë zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqesin rrezik për shëndetin publik.