Fitch Ratings

Kosova merr zyrtarisht vlerësimin e parë kreditor

Kryeministri Albin Kurti, po merr pjesë në shënimin e marrjes së vlerësimit të parë kreditor të Kosovës nga agjencia Fitch Ratings.

Kosova ka marrë vlerësimin e saj te parë kreditor sovran. Fitch Ratings, agjenci globale e vlerësimit, i ka dhënë Kosovës vlerësimin BB-, duke treguar perspektivë të qëndrueshme dhe duke e pozicionuar vendin në mënyrë të favorshme në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Vlerësimi kreditor sovran është një matës kryesori aftësisë kreditore të një vendi dhe kapacitetit për të përmbushur detyrimet financiare.

Deri më tani, Kosova ishte i vetmi vend evropian pa vlerësim kreditor sovran.

Kjo mungesë ka kufizuar qasjen e saj në tregjet financiare globale, ka penguar prurjet e investimeve të huaja dhe ka rritur koston e kapitalit.

Vlerësimi i marrë rishtazi sjellë avantazhe të shumta, duke përfshirë uljen e kostos së huamarrjes, mundësitë e shtuara për tërheqjen e investimeve të huaja, rritjen e qasjes në tregjet globale të kapitalit, nxitjen në njohjen ndërkombëtare dhe reforma të përshpejtuara strukturore ekonomike.

Ngjarja ishte kulmi i përpjekjeve afatgiata nga institucionet kosovare në partneritet me USAID-in për të forcuar ekonominë dhe për të siguruar rritje te mëtejshme, njofton Klan Kosova.

Për të marrë vlerësimin e lëshuar më 19 prill 2024, USAID-i, përmes Aktivitetit Promovimi i Investimeve dhe Qasjes në Financa, ka hyrë në partneritet me Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe ka bashkëpunuar gjerësisht me Fitch Ratings për të nisur dhe mbikëqyrur proceset përkatëse të vlerësimi.