Kosova me zero vaksina të blera, qytetarët nën mëshirën e donacioneve dhe të Serbisë

As edhe një vaksinë Anti-COVID, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ta blejë deri tani. Derisa nuk është nënshkruar as edhe një kontratë për furnizim me vaksina, vendi po pret donacione për vaksinimin e popullsisë. 100 mijë e 620 doza të vaksinës, pritet të vijnë falas deri ne fillim të muajit qershor në Kosovë. Ndërkaq, shumë shqiptarë të Kosovë po shkojnë edhe në Serbi për t’u vaksinuar.

Në kohën kur shtetet tjera kanë nënshkruar kontrata për furnizim me qindra mijëra e miliona vaksina Anti-COVID, Kosova nuk e ka as edhe një kontratë të nënshkruar për furnizim me to. Qytetarët po vazhdojnë të varen edhe më tej nga donacionet për vaksinim.

Deri tani vendi ka arritur të vaksinojë rreth 30 mijë qytetarë kundër këtij virusi, ndonëse kërkesat për t’u vaksinuar janë shumë të mëdha. Shqipëria ka vaksinuar deri tash mbi 600 mijë qytetarë.

Në mungesë të kontratave me prodhues të vaksinave, qytetarët po mbesin nën mëshirën e donacioneve nga vendet tjera. Një pjesë e kosovarëve veçse ia kanë mësyrë Serbisë.Dje eshte raportuar se shumë shqiptarë të Kosovës, përveç shtetasve të etnisë serbe, po vaksinohen në Rashkë.

Kosova deri tani është furnizuar me 67 mijë e 80 vaksina, 62 mijë e 400 doza të AstraZenecas ishin falas nga COVAX, ndërsa 4 mijë e 680 doza të vaksinës Pfizer nga Bashkimi Evropian.

Zëdhënësja e BE’së, Ana Pisonero ka thënë për Express se rreth 5 mijë vaksinat Pfizer që kanë ardhur në Kosovë javën e kaluar janë të financuara nga Bashkimi Evropian.

Ndërsa, nga java e ardhshme e deri në gusht, sipas saj Kosova do të furnizohet edhe me rreth 90 mijë vaksina.

“Komisioneri ishte në Kosovë javën e kaluar për të diskutuar me autoritetet përgjigjen ndaj pandemisë dhe mbështetjen e BE-së në këtë kontekst dhe dëshmoi shpërndarjet e para të vaksinave si pjesë e më shumë se 650,000 dozave që BE po siguron për të vaksinuar punonjësit e linjës së frontit dhe disa të grupeve më të prekshme të popullsisë në Ballkanin Perëndimor. Kostoja e këtyre vaksinave është financuar plotësisht nga BE”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, programi i UNICEF’it ka bërë të ditur sot se Kosova deri në fillim të muajit qershor do të furnizohet edhe me 100 mijë e 620 doza të vaksinës Anti-COVID nga COVAX.

Nga ky mekanizëm Kosovës i janë premtuar gjithsej 360 mijë vaksina falas për vaksinimin e 20 për qind të popullsisë. Mirëpo, pjesa tjera e vaksinave, pritet të vie deri në fund të këtij viti.

Ndërsa, falas Kosova do të merr edhe 10 mijë doza të vaksinave nga Kroacia. Ndonëse nuk dihet saktësisht se kur do të vinë këto doza, Kroacia tashmë ka marrë vendimin për ndarjen e tyre.

Për mbetjen nën mëshirën e donacioneve, njohës të shëndetësisë e deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë.

Deputeti nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu ka thënë për Express se Kosova qëndron më së keqi në Evropë sa i përket vaksinimit.

Sipas tij, Qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë kanë neglizhuar sigurimin e një kontratë për furnizim me vaksina.

“Ministri Arben Vitia deklaronte se ne do të kemi kontratën për vaksina. Është shqetësuese situata aktuale me pandeminë dhe vaksinimi i ngadalshëm. Ne jemi më se keqi në Evropë, pasi Kosova s’ka as një kontratë të nënshkruar. Është neglizhencë e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë për të siguruar një kontratë”, ka shtuar ai.

Kujtojmë që Kosovës i ka dal në ndihmë edhe Shqipëria në vaksinimin e qytetarëve.

Nga ky shtet kanë vaksinuar 500 punëtorë shëndetësorë nga Kosovë, derisa i kanë ofruar edhe më tej vendit mbështetje në vaksinimin e qytetarëve.