Mësimi në distancë, mësimi nga platforma të ndryshme, por edhe mësimi i kombinuar, janë disa nga skenarët që Ministria e Arsimit i ka përgatitur me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje adekuate për fillimin e vitit të ri shkollor në muajin shtator. Siç thonë zyrtarë të kësaj ministrie, procesi mësimor do të vazhdojë bazuar në rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje nga sëmundja COVID-19.
Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Pastaj, Ministria e Arsimit vendosi që mësimi të vazhdojë nga distancë.
Për klasat 1-9, mësimi është realizuar nëpërmjet transmetimit të mësimeve të regjistruara në televizionin publik, si dhe përmes kanalit të Ministrisë së Arsimit në YouTube. Ndërsa në nivel të shkollave të mesme të larta, mësimi në distancë është zhvilluar në mënyrë të decentralizuar, ku mësimdhënësit ishin bartësit kryesor të
Enver Osdautaj, këshilltar i lartë politik në kabinetin e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ramë Likaj, thotë se ministria tashmë ka krijuar një grup punues, i cili po realizon përgatitjet për fillimin e mësimit në rrethana pandemie. Ky grup, thotë Osdautaj, ka përgatitur disa skenarë, por prioritet do të mbetet shëndeti i nxënësve.
“Janë marrë disa modalitete të vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. Është menduar që mësimi të mbahet në disa forma: mësim në distancë, mësim nga platforma të ndryshme, përmes televizionit, por edhe mësim i kombinuar, varësisht nga situata epidemiologjike në Kosovë. Do të thotë të gjitha mundësitë janë shqyrtuar dhe janë krijuar dokumente në mënyrë që nxënëseve t’u ofrohet ajo që është më e mira në rrethana pandemie”, thotë Osdautaj për Radion Evropa e Lirë.
Duke folur për mësimin e kombinuar, Osdautajt thotë se për shkak të numrit të kufizuar të nxënësve që do të jenë në klasa, do të ketë orar ku nxënësit një pjesë të mësimit, nëse lejojnë mundësitë, ta zhvillojnë në shkolla, pjesa tjetër që nuk arrihet të realizohet, do të plotësohet me mësimin online.
“Është menduar që të ketë deri në 10 nxënës, duke respektuar distancën sociale. Tashmë janë duke u përgatitur edhe planet se si do të organizohen klasat, duke marrë parasysh edhe masat për mbrojtje dhe siguri anti- COVID. Për shkak të interaktivitetit edhe qasjes, nëse lejojnë mundësitë, do të provohet edhe në këtë variant”, shprehet Osdautaj.







