Shteti i Kosovës është duke bërë përpjekje të mëdha që të anëtarësohet në organizatën më të madhe të policisë ndërkombëtare në botë.
Përmes shteteve mike, një fushatë e madhe lobimi për anëtarësim në Interpol ka kohë që ka filluar.
Megjithatë, puna e nisur e lobimit qysh para gjysmë viti, për të mos i krijuar probleme vetvetes, medialisht shumë pak është trumbetuar.
Ballkani.info ka siguruar disa broshura që janë shtypur në gjuhët kryesore të botës, të cilat u janë shpërndarë shteteve anëtare të Interpolit.
Në këto broshura jepen arsyet pse duhet të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Interpol dhe kërkohet vota e çdonjërit anëtar të kësaj organizate.
Duke mos qenë pjesë e Interpolit, Kosova ka qenë gjatë gjithë këtyre viteve mjaft tërheqëse edhe për kriminelë të shteteve të huaja, të cilët e dinë që një shtet pa bashkëpunim me organizatat rajonale dhe botërore, nuk ka kapacitet për ndjekjen e tyre për krimet që i kanë bërë.
Po ashtu, anëtarësimi i Kosovës në Interpol do i jepte fund edhe lojës së vazhdueshme të Serbisë me të dhënat për ushtarët e UÇK-së, të cilët shpeshherë janë arrestuar nëpër aeroporte të ndryshme botërore për shkak të të dhënave të deponuara nga policia dhe shërbimi sekret i Serbisë.
Interpoli i ka rregullat e veta dhe pa qenë anëtare edhe Kosova, kërkesat e saj që mos të merren parasysh fletarrestimet e lëshuara nga autoritetet e Serbisë për qytetarët e Kosovës, gjithmonë kishin hasur në “vesh të shurdhër”.
Për t’u anëtarësuar në Interpol, Kosovës i duhen votat e dy të tretave të shteteve të pranishme që votojnë për anëtarësimin e saj.
Interpoli u formua në vitin 1923, me qëllim që të nxisë bashkëpunimin ndërkombëtar policor. Misioni parësor i saj është ndalimi i një sërë aktivitetesh kriminale ndërkombëtare. Roli kryesor i Interpolit në shumicën e operacioneve është të funksionojë si një qendër informacioni, duke ruajtur bazën e të dhënave kriminale ndërkombëtare dhe duke lehtësuar kontaktet midis forcave të policisë të shteteve të ndryshme. /Ballkani.info/







