Kosova me 65 agjenci rregullatore, BE-ja kërkon të reduktohen

Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie ka mbajtur dëgjim publik për tri projektligjet e reformës në administratën publike, përkatësisht Projektligjin për pagat në sektorin publik, Projektligjin për zyrtarët publik, dhe Projektligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura.

Kryetari i Komisionit, Nait Hasani tha se në Kosovë momentalisht janë 65 agjenci rregullatore dhe ky numër është shumë i madh sipas propozimit nga BE-ja, për këtë arsye ky numër duhet të zvogëlohet, raporton EkonomiaOnline.

“Në Kosovë janë 65 agjenci rregullatore, ka nga ato që kanë kryer detyrën mirë dhe nga ato që nuk e kanë kryer mirë, disa kanë emër dhe jo punë, por shteti i Kosovës me 65 agjencione rregullatore mendoj që është shumë. Kemi propozimin nga BE-ja për reforma në administratë që këto të zvogëlohen dhe dikujt i bie hise që të kaloj në ministri dhe me vërejtjet e juaja që janë kushtetuese, do t’i qëndrojmë dhe për të tjerat, do t’i shikojmë mundësitë që janë”, tha Hasani.

Në komision u thanën disa nga vërejtjet për agjencitë.

Driton Gjonbalaj nga autoriteti i Aviacionit Civil tha se ndërrimi i statutit të Aviacionit Civil nga autoritet i pavarur në atë ekzekutiv është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Dua të përmend një shqetësim që besoj prekë subjektivitetin e Aviacionit Civil në Kushtetutë, aviacioni civil nga autoritet i pavarur të shndërrohet në autoritet ekzekutiv”, tha Gjonbalaj.

“Aviacionin Civil kushtetuta e cilëson si agjenci rregullatore, shndërrimi i Aviacionit Civil në agjenci ekzekutive është shkelje e Kushtetutës dhe nuk mund t’i qëndrojë asnjë testi ligjor”, tha ai.

“Aviacioni Civil sipas Kushtetutës është rregullator, ndërsa sipas projektligjit të përmendur është agjenci ekzekutive”, shtoi Gjonbalaj.

Valon Kurtaj drejtor i Akademinsë së Drejtësisë së Kosovës tha se me këtë reformë cënohet pavarësia e akademisë.

“Akademia e drejtësisë sikurse cdo insitucion i pavarur ka bazën e saj në Kushtetutën e Republikës dhe ligjin për akademinë e drejtësisë. Akademia si agjenci e pavarur në esencë dallon nga agjencit tjera të pavarura sepse bëjm trajnimin e gjyqëtarëve, prokurorëve etj duke marr parasysh përkushtimin në Kosovë akademia e drejtësisë nëse është pjesë e rregullatore me këtë ligj cenohet pavarësia e akademisë dhe ndarjes së pushtetit legjislativ dhe gjyqësor”, tha Kurtaj.

“Akademisë së Drejtësisë duhet t’i ruhet statuti i pavarur dhe të ushtroj profesionin si e pavarur”, tha ai.

Ramiz Krasniqi nga komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale tha se nëse ky komision shndërrohet në atë ekzekutiv, atëherë do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Integrimi i agjencionit në agjenci ekzekutive në kuadër të zhvillimit ekonomik, është gabim dhe pengon zhvillimin ekonomik të vendit, agjencioni ka staf të trajnuar dhe të përgatitur mirë dhe integrimi i tij në çfarëdo statusi i tij, do të ngadalësonte zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Krasniqi.