Kosova, më 1999 dhe sot

Nëse hasni në këtë fotografi në internet, përshkrimi është ky:

“Një vajzë po i thotë lamtumirë babait të saj, të cilin mund të mos e ketë parë më kurrë”.

Familja e saj, sikur edhe shumë të tjera janë ndarë në mënyrë të detyrueshme gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Fotografia është bërë në Prishtinë, teksa një autobus me shqiptarë të dëbuar nga shtëpitë e tyre ishte nisur drejt Turqisë.

Megjithatë, fati i familjes së kësaj vogëlusheje nuk dihet.

Fotografi të ngjashme të situatës së krijuar 20 vjet më parë në Kosovë kanë alarmuar ata, që sot njihen si aleatë të Kosovës, për të nisur fushatën 78-ditore të bombardimit nga NATO-ja kundër caqeve serbe.

Disa prej vendeve, që kanë qenë të identifikueshme, ekipi i Radios Evropa e Lirë i ka vizituar sërish, dhe dallimi duket të jetë i qartë.

FOTOGRAFITË:

1999 – 2019

Policia serbe bllokon rrugën për protestuesit shqiptarë përmes transportuesve të blinduar në qendër të Prishtinës më 2 mars 1999. Mijëra shqiptarë kanë protestuar kundër dhunës së policisë që ka rezultuar me 20 persona të vdekur gjatë asaj fundjave në Kosovë.

Dy burra mbulojnë trupin e një personi të vrarë si pasojë e një shpërthimi me bombë më 13 mars të vitit 1999 në Mitrovicë. Në këtë shpërthim tre persona janë vrarë dhe rreth 40 të tjerë janë plagosur. (AP Photo/Visar Kryeziu)

Sulmet e NATO-s, kanë filluar më 24 mars 1999, pas dështimit të bisedimeve paqësore në Rambuje, me urdhër të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës veri-atlantike, Havier Solana në orën 20:00.

Treni i stërngarkuar me të dëbuar, duke u nisur nga Prishtina për në Maqedoni më 1 prill të vitit 1999. REUTERS, Goran Tomaseviq

Një burrë duke u larguar me vajzën e tij nga shtëpitë e shkatërruara në Prishtinë më 7 prill.

Pas 78 ditëve të sulmeve, bombardimet janë ndërprerë më 10 qershor të vitit 1999, me miratimin e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërprerja e bombardimeve ka qenë rezultat i nënshkrimit të Marrëveshjes Teknike të Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare të NATO-s në Kosovë.

Një ushtar britanik qëndron përpara stacionit serb të policisë në Prishtinë. (AP Photo /Russell Boyce/Pool)

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të NATO-s, në kuadër të forcave paqeruajtëse për Kosovën, KFOR.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili ka administruar këtë vend për një periudhë të caktuar kohore.

Në kuadër të KFOR-it janë vendosur rreth 50, 000 ushtarë nga 36 vende, nga të cilët 30,000 ishin nga vendet e NATO-s.

Një pjesëtar italian i KFOR-it duke ndalur një protestues shqiptar që të mos kalojë urën në Mitrovicë për t’u përballur me serbët. Ura qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka qenë vatër përplasjesh në mes të shqiptarëve dhe serbëve pas luftës në Kosovë. (AP Photo/Jacqueline Larma)

Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, anglez, francez, gjerman dhe italian.

Një ushtar francez duke ruajtur urën që ndan ato që tani njihen si Mitrovica Veriore dhe ajo Jugore. (AP Photo/Adam Butler).



Ish-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana duke u mirëpritur nga banorët e Kosovës në Prishtinë më 24 qershor 1999. Ai është pritur si hero në kryeqytetin e Kosovës, së bashku me komandatin suprem të NATO-s, gjeneralin amerikan, Wesley Clark. (AP Photo/David Guttenfelder)

Si pasojë e luftës në Kosovë kanë vdekur 13,518 persona, përkatësisht 10,794 shqiptarë, 2,197 serbë dhe të tjerët u përkasin etnive tjera.

Sipas Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ende mbesin 1,647 persona të pagjetur, shumica prej tyre shqiptarë.

Komuna me numrin më të madh të viktimave është Gjakova me 1,214 persona të vrarë.

Një burrë i moshuar duke ecur rreth pjesës së shkatërruar të Gjakovës. Forcat serbe kanë djegur pjesën më të madhe të këtij qyteti gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s.

Rreth 5,000 shqiptarë duke festuar në qytetin e Rahovecit më 17 korrik, 1999.

Hyrja e forcave të NATO-s në Kosovë ka rezultuar edhe me shpërbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’u shndërruar në Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Ato kanë ekzistuar deri në janar të vitit 2009, kur edhe është formuar Forca e Sigurisë së Kosovës. Kjo e fundit, më 2018 është transformuar në Forcë me kapacitete ushtarake.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj, të cilat më 17 shkurt të vitit 2008, shpallën pavarësinë e Kosovës.