Shkëlzen Gashi

Kosova ka zhdukur kujtimet e rezistencës paqësore

Përderisa rrugët dhe sheshet lartësojnë kujtimin për ‘betejat e lavdishme’ të UÇK-së kundër okupimit serb, strategjia e mëhershme e rezistencës paqësore është shlyer nga vetëdija kolektive e kombit.

Gene Sharp, autor i shumë publikimeve për rezistencën joviolente, i klasifikon metodat e kësaj rezistence në tri grupe: a) protesta joviolente që përfshijnë akte simbolike të kundërshtimit paqësor për të treguar se rezistuesit janë kundër diçkaje e pro diçkaje; b) metodat e mosbashkëpunimit, që përfshijnë mosbashkëpunim social, ekonomik dhe politik; c) metodat e ndërhyrjes joviolente që nënkuptojnë veprime për të ndryshuar situatën, si: ndërhyrje psikologjike, fizike, sociale, ekonomike e politike.

Sipas klasifikimeve të Gene Sharp, del se shqiptarët e Kosovës përjetuan një përshkallëzim të dhunës dhe të shtypjes shtetërore gjatë regjimit të Serbisë në fundshekullin XX, kur aplikuan llojin e parë të metodave të rezistencës joviolente. Ky lloj karakterizohet nga protesta që përfshijnë akte simbolike të kundërshtimit paqësor, për të treguar se rezistuesit janë kundër diçkaje e pro diçkaje. Nga nëntori i vitit 1988 e deri në mars të vitit 1989, shqiptarët e Kosovës treguan se ishin kundër suprimimit të autonomisë së Kosovës (të bazuar në Kushtetutën e RSFJ-së të vitit 1974) nga ana e pushtetit serb me në krye Milosheviq-in. Ata protestuan përmes marsheve, grevave, apeleve, peticioneve e shumë formave të tjera paqësore. Me gjithë këto aksione paqësore, pushteti serb ndërmori një mori aktesh të dhunshme kundër shqiptarëve: suprimoi autonominë, vrau dhjetëra demonstrues, izoloi qindra pjesëtarë të elitës kosovare, e me radhë.

Si kundërpërgjigje ndaj këtyre formave të respresionit, shqiptarët kundërshtuan në mënyrë paqësore. Themeluan një mori partish politike, duke e shpartalluar monopolin e Lidhjes Komuniste; organizuan peticionin ‘Për Demokraci, Kundër Dhunës’ duke tubuar rreth 400 mijë nënshkrime; realizuan aksion simbolik për ‘Varrimin e Dhunës’, me pjesëmarrjen e rreth 50 mijë qytetarëve; fushatuan anekënd Kosovës për ‘Pajtimin e Gjaqeve’, e kështu me radhë. Veç këtyre, nga mesi i vitit 1990, shqiptarët me një sërë aktesh dëshmonin edhe se janë pro çkaje, duke u shprehur për Republikën e Kosovës me anë të Deklaratës Kushtetuese për Republikën e Kosovës (2 korrik 1990), Kushtetutës së Republikës së Kosovës (7 shtator 1990), Referendumit për Pavarësinë e Kosovës (26-30 shtator 1991) dhe Zgjedhjeve Parlamentare e Presidenciale (24 maj 1992).

Në gjysmën e dytë të vitit 1990, shqiptarët e Kosovës filluan të përdornin metodat e grupit të dytë të klasifikimit të Gene Sharp – mosbashkëpunimin me sistemin e Serbisë në politikë, ekonomi, shëndetësi, edukim, e me radhë. Për më tej, krijuan sistem paralel të funksionimit në këto fusha. Ata i bojkotuan zgjedhjet serbe nga njëra anë dhe organizuan zgjedhje paralele parlamentare e presidenciale, nga ana tjetër. Megjithëse këto veprime kontribuuan për ta mohuar legjitimitetin e sundimit serb në Kosovë, përveç institucionit të Presidentit të Kosovës, institucionet e tjera paralele politike, të dala nga këto zgjedhje, nuk ishin funksionale. Më e rëndësishmja, Kuvendi i Kosovës nuk u mblodh pothuajse kurrë. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës vepronte në mërgim, kryesisht duke informuar bashkësinë ndërkombëtare mbi represionin serb në Kosovë dhe duke organizuar diasporën që ta mbështeste financiarisht Kosovën.

Në fushën e ekonomisë, megjithëse shqiptarët hapën biznese të vogla dhe mblodhën taksa prej 3% për ta mirëmbajtur sistemin paralel, metodat e mosbashkëpunimit të propozuara nga Gene Sharp, nuk u zbatuan plotësisht. Shqiptarët i regjistronin bizneset në institucionet shtetërore serbe dhe u paguanin taksa e tatime organeve shtetërore serbe. Përveç këtyre, meqë nuk prodhonin pothuajse asgjë, i konsumonin produktet serbe në shkallë masive.

Më shumë se gjithë të tjerët, sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë e ilustrojnë metodën e mosbashkëpunimit të Gene Sharp për rezistencën joviolente. Pikërisht këtu gjejmë jo vetëm tregime për vetorganizim dhe solidaritet, por edhe për bojkotim të institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe.

Në llojin e tretë të metodave të Gene Sharp përfshihen ato që synojnë transformimin në mënyrë proaktive të situatave jodemokratike; për shembull duke bllokuar rrugët, duke organizuar greva urie, duke okupuar ndërtesa publike dhe aktivitete të ngjashme. Këtë formë të rezistencës e refuzonin përfaqësuesit politikë shqiptarë të Kosovës nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës. Kundërshtarët e tij, të udhëhequr nga Adem Demaçi, synonin të zbatonin edhe këso lloj metodash.

Rugova e hidhte poshtë idenë e ndërhyrjes joviolente me arsyetimin se kjo do t’i leverdiste Serbisë, e cila ishte e etur për të parë veprime të armatosura në Kosovë. Rugova pretendonte se Serbia, për ta justifikuar shtypjen që bënte, rezistencën shqiptare do ta portretizonte para botës si terrorizëm, që kështu ta zbehte çdo simpati ndërkombëtare rreth gjendjes së vështirë të shqiptarëve në Kosovë. Rugova shkoi edhe më tutje: u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i ndalnin demonstratat në rrugë, në mënyrë që t’i shmangnin viktimat e reja dhe sidomos luftën civile. Sipas tij, “demonstratat dhe manifestimet e pakënaqësisë së qytetarëve janë afatshkurtra dhe kanë kuptim vetëm në një vend ku ka sundim të ligjit”. Ai pohonte se ndonëse sjellja e shqiptarëve mund të dukej si sjellje qyqarësh, autoritetet serbe kërkonin pretekst për të kryer masakër të madhe kundër shqiptarëve, siç kishin bërë shumë herë që nga viti 1912. Rugova gjithashtu këmbëngulte se, megjithëse në shikim të parë kjo mund të dukej si nënshtrim, në afat të gjatë do të ishte e dobishme.

Ai u përpoq t’i përgatiste shqiptarët e Kosovës për një proces afatgjatë të zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Megjithatë, që nga viti 1993 paralajmëronte edhe se po nuk u gjet ndonjë zgjidhje, radikalizmi do të rritej. Prandaj kërkonte masa parandaluese, duke sugjeruar që Kosova të vendosej nën protektorat të OKB-së. Sqaronte se “deri më tani kemi arritur të shmangim luftën në Kosovë, duke mos pranuar provokime dhe duke sakrifikuar shumë, kështu që kërkojmë nga bashkësia ndërkombëtare që ta shpërblejë këtë sakrificë të popullit të Kosovës për stabilitet në rajon dhe në Evropë”. Mund të pohohet se qëllimi i parë i Rugovës ishte të shmangte konfliktin e dhunshëm. Edhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë thonë se qëllim kryesor e kishte “t’i shpëtonte qytetarët e Kosovës nga brutaliteti i policisë”. Rugova shpesh përsëriste “nuk na duhet Kosova pa popullin e saj”. Qëllimin e dytë e kishte t’i shkatërronte paragjykimet ekzistuese mbi shqiptarët si njerëz të armatosur dhe hakmarrës, që fillojnë grindjen për gjënë më të vogël. Qëllimi i tretë i tij ishte që ta ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës përmes një strategjie komunikimi që synonte ta informonte botën demokratike mbi represionin serb në Kosovë. Në këtë mënyrë, shpresonte të arrinte një protektorat të OKB-së për Kosovën e më pas ta shpallte pavarësinë.

Adem Demaçi në anën tjetër avokonte për metodat që Gene Sharp i klasifikon në grupin e tretë – ato të ndërhyrjes joviolente. Ai propozonte që qytetarët e Kosovës t’i lironin ndërtesat e institucioneve politike, gjyqësore, ekonomike, mediale, shëndetësore, arsimore e shkencore, të uzurpuara nga regjimi serb, e madje edhe rrugët e sheshet kryesore, duke qëndruar aty me ditë e me net të tëra, e jo duke u larguar sapo të vinin forcat policore serbe. Kundërshtarët e përdorimit të këtyre metodave ngulmonin se në një përpjekje të tillë Serbia do t’i vriste ndoshta edhe 10 mijë qytetarë. Demaçi kundërpërgjigjej se “Serbia ndoshta do t’i vriste edhe 20 mijë qytetarë sepse Serbia e ka seriozisht, por edhe ne duhet t’i tregojmë Serbisë, e edhe bashkësisë ndërkombëtare, se e kemi seriozisht” sepse “Serbia nuk heq dorë nga okupimi i institucioneve tona pa i larë ato me gjak”. Në mes të viteve ‘90, Demaçi e përshkruante rezistencën paqësore pasive, të udhëhequr nga Rugova, si dekor që i shërbente pushtetit serb për t’i dëshmuar bashkësisë ndërkombëtare se këtu po funksiononte një sistem demokratik. Ai shtonte se kjo politikë i leverdiste Serbisë edhe për arsye se Kosova vetëm i jepte Serbisë – shqiptarët paguanin tatime për Serbinë – e nuk merrte asgjë, as për arsim, as për shëndetësi, e as për asnjë fushë tjetër.

Në vitin 1995, Kosova nuk u përmend fare në Konferencën e Dejtonit, e Slobodan Milosheviq u promovua nga bashkësia ndërkombëtare si njeri i paqes. Ky fakt, bashkë me represionin gjithnjë e më të egër të regjimit serb, ndikuan që sidomos të rinjtë ta humbnin durimin. Më 1 shtator 1996, udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe Presidenti i Serbisë, Slobodan Milosheviq, me ndërmjetësimin e Komunitetit Shën Egjidio, nënshkruan një marrëveshje për kthimin e nxënësve dhe të studentëve shqiptarë në objektet shkollore dhe universitare. Një vit pas moszbatimit të kësaj marrëveshjeje, më 1 tetor 1997, ditën kur do të duhej të niste viti i ri akademik, Unioni i Pavarur i Studentëve të Universitetit të Prishtinës (UPSUP) organizoi protestë gjithëstudentore për lirimin e pakusht të objekteve të Universitetit të Prishtinës, të uzurpuara nga regjimi i Serbisë. Në përgjigje të kësaj proteste, forcat policore serbe ndërhynë brutalisht, duke u shkaktuar lëndime protestuesve e duke bërë arrestime arbitrare. Në vitet ‘96-‘97 Ushtria Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nisi një varg aksionesh guerile kundër forcave policore serbe në Kosovë. Më 28 nëntor 1997, ajo edhe u paraqit për herë të parë publikisht në varrimin e një mësuesi të vrarë nga forcat serbe në një katund të Drenicës. LDK-ja, partia më e madhe politike në Kosovë, e udhëhequr nga Rugova, shpalli se prapa këtyre aksioneve guerile kundër forcave policore serbe qëndronte Serbia, por Serbia vetë e cilësoi UÇK-në si organizatë terroriste. Sidoqoftë, në fund të muajit shkurt 1998, në Kosovë filloi konflikti i armatosur.

Metodat e “ndërhyrjes joviolente”, të cilat i referohen veprimeve që synojnë ndryshimin e situatës përmes ndërhyrjeve psikologjike, fizike, sociale, ekonomike e politike, nuk u përdorën sepse mund ta kishin përshpejtuar dhe përkeqësuar represionin e regjimit serb në Kosovë. Përfaqësuesit politikë të Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, mendonin se Kosova mund të kishte arritur qëllimin kryesor politik – pavarësinë e Kosovës – nëpërmjet ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare dhe vendosjes së Kosovës nën protektoratin e OKB-së. Në fakt Kosova, pas ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, u vendos nën administrimin e OKB-së dhe u bë e pavarur. Këto zhvillime nuk erdhën për shkak të rezistencës joviolente, por prej përshkallëzimit të dhunës, përfshirë viktimizimet e dhunshme të civilëve nga forcat serbe, që u shpërndanë nëpër mediat e mbarë botës.

Në tekstet mësimore të historisë për shkollat fillore dhe të mesme, në përdorim aktualisht në Kosovë, përmenden, krejt telegrafikisht, vetëm disa prej aksioneve simbolike paqësore kundër heqjes së autonomisë së Kosovës, si dhe aksionet simbolike paqësore për shpalljen e Republikës së Kosovës. Por, sa i takon bojkotimit të sistemit politik, ekonomik, shëndetësor e arsimor të Serbisë në Kosovë, si dhe krijimit të sistemit paralel të shqiptarëve të Kosovës, këto tekste përmendin krejt sipërfaqësisht vetëm sistemin paralel në fushën e arsimit. Nuk ka asgjë rreth sistemit paralel në fushat e tjera. Po ashtu, në këto tekste nuk ka asgjë për thelbin e politikës së udhëheqësit të rezistencës joviolente në Kosovë, Ibrahim Rugovës, e që mund të përmblidhet në tri shtylla: shmangia e konfliktit të armatosur, shkatërrimi i paragjykimeve për shqiptarët, si dhe ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës, përmes strategjisë që synonte informimin e botës mbi represionin serb në Kosovë.

Sot, institucionet kryesore politike të Kosovës – Presidenti, Kryeparlamentari dhe Kryeministri – të cilat udhëhiqen nga drejtuesit e dikurshëm të rezistencës së armatosur, nën drejtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nuk organizojnë pothuajse asnjëherë aktivitete përkujtuese për ngjarjet ose personalitetet që lidhen me rezistencën joviolente të periudhës 1988-1998. Këto institucione i përkujtojnë vetëm “betejat dhe epopetë e lavdishme” të UÇK-së, si dhe masakrat e forcave policore e ushtarake serbe e jugosllave kundër civilëve të pafajshëm shqiptarë. Po ashtu, sheshet dhe rrugët kryesore nëpër qytetet e Kosovës janë të stërmbushura me emra dhe shtatore të pjesëmarrësve të rezistencës së armatosur 1998-1999 dhe nuk ka pothuajse asnjë rrugë qendrore ose shesh me emra dhe shtatore për ngjarjet ose personalitetet më të rëndësishme të rezistencës joviolente në Kosovë 1988-1998.

Shkëlzen Gashi është publicist nga Prishtina.

(Ky artikull është pjesë e një hulumtimi më të gjerë, të mbështetur nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) në kuadër të projektit ‘Building Knowledge about Kosovo (v.2.0)’, gjetjet e të cilit do të botohen së shpejti.)