Kosova ka treguar rezultate të mëdha në luftën kundër terrorizmit

Ministri i Punëve të Brendshme, Ekrem Mustafa, deklaroi sot se Mekanizmi i qeverisjes integruese të sigurisë së brendshme është duke treguar në vazhdimësi rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në zhvillimin e kapaciteteve dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Ai këto komente i bëri në konferencën e ministrave nga “Procesi i Brdos”, e cila po mbahet Shkup, nikoqir i së cilës është Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Tema kryesore e kësaj konference është vlerësimi i zbatimit të deri tanishëm të iniciativës për përmirësimin e integrimit të sigurisë së brendshme.

Përkundër progresit të arritur të rajonin në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, krimeve të rënda dhe sigurisë kufitare, ministri Mustafa tha se ka ende shumë punë të bërë për të arritur standardet evropiane.

“Ky mekanizëm ka arritur që të përmirësojë koordinimin e veprimeve të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe donatorëve të ndryshëm të pranishëm në rajonin tonë, duke zvogëluar mbivendosjen apo duplifikimin e veprimeve”, tha ministri Mustafa.

Ai shtoi se koordinimi i donatorëve mbetet ende sfidë me të cilën secili nga shtetet përballet dhe duhet të intensifikojmë më shumë përpjekjet për të rregulluar këtë fushë.

Në fjalën e tij para ministrave, ministri Mustafa theksoi se Kosova ka treguar rezultate të mëdha në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, të cilat janë pasqyruar edhe në raportet e Bashkimit Evropian.

Ai bëri të ditur se janë ndërmarrë masa të shumta parandaluese si themelimi i mekanizmave referues për rastet e radikalizmit dhe themelimit të Divizionit për parandalim dhe riintegrimin e personave të radikalizuar, të cilat po merren si shembuj nga shtetet tjera.