Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri, ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pasi Kosova përfundimisht nuk arriti të hyjë në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku pritej të shqyrtohej pranimi apo jo i Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.
Tahiri, pas këtij dështimi, ka konsideruar se Kurti duhet përfundimisht duhet të lëshojë rrugë.
“Tash kur mbeti Kosova jashtë Këshillit të Evropës, Kryeministri Kurti duhet përfundimisht të lëshoj rrugë, te jap dorëheqjen, t’i ndal dështimet historike në këtë dialog me armikun serb, t’i hap rrugë zgjedhjeve në vend”, ka shkruar Tahiri në platformën sociale, Facebook.
Shqyrtimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, as të martën e 14 majit nuk ka arritur të hyjë në agjendën e takimit të radhës së Këshillit të Ministrave i cili pritet të mbahet më 16 dhe 17 maj.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar Zëvendësministri për Punë të Jashtme, Kreshnik Ahmeti.
Në një shkrim të gjatë në platformën sociale, Facebook, Ahmeti, ka bërë të ditur se as të martën nuk është adresuar rekomandimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në lidhje me aplikimin e Kosovës.
Kjo sipas tij ka ardhur pas kushtëzimit të Kosovës nga Gjermania e Franca për ta dërguar draft-statutin e Bashkimit Evropian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.
“Megjithëse ka mbështetje për vendosjen e anëtarësimit të Kosovës në agjendën e Ministerialit të 17 majit, qëndrimi i disa vendeve që Kosova duhet ta pranojë draft statutin e Miroslav Lajcak për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën, bëri që pika e Kosovës të mos vendoset sot në agjendën e ministrave të jashtëm”, ka shkruar ai.
Sipas tij ka gjasa që votimi për pranimin ose jo të Kosovës në Këshillin e Evropës të shtyhet.
“Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft Statutin e Lajcakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”.







