Kosova i ndërron lokacionin ambasadorit në Austri, e dërgon në Zvicër

Sami Ukelli, ambasadori i tanishëm i Kosovës në Austri, është caktuar me detyrën e ambasadorit në Konfederatën Helvetike, në Zvicër.

Siç merr vesh albinfo.ch nga burimet e saj në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Ukelli tashmë është dekretuar nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për pozitën e ambasadorit të Republikës së Kosovës në Bernë. Kjo është bërë pas kërkesës së ardhur nga Ministria e Jashtme e Kosovës.

Sami Ukelli është i lindur në Podujevë, në vitin 1972. Në vitin 2006 ai është graduar nga Universiteti Johannes Kepler në Linz, Austri, me titullin e magjistrut të shkencave të ekonomisë sociale. Pastaj, në vitin 2009 ka mbaruar një program pasuniversitar në studimet interdisiplinare ballkanike, në Vjenë etj.

Ukelli nga viti 2010 deri në vitin 2012 ai ka qenë ambasador i Kosovës në Japoni. Në periudhën 2013-2015 ai ka përfaqësuar Kosovën si ambasador i saj në Hungari ndërsa nga viti 2015 dhe deri sot, është ambasador i Republikës së Kosovës në Vjenë, Austri.

Në Ambasadën e Kosovës në Bernë ai vjen në vend të Nazane Brecës, e cila këtë post e mban nga viti 2016. Para saj, Ambasadën e Kosovës në Zvicër, nga themelimi i saj, e ka drejtuar Naim Malaj.

loading…