Kosova i mëson rivalët në U17 dhe U19
Në selinë e UEFA-s në Nion është bërë tërheqja e shortit për kualifikimet e grup-moshave nën 17 dhe nën 19 vjeç në konkurrencën e femrave.
Përfaqësuesja e Kosovës U17, e cila arriti të promovohet në Ligën A të kualifikimeve për Euro 2023 si skuadra me bilancin më të mirë nga pozita e dytë, do të bëjë pjesë në Grupin 5, ku janë të përfshira edhe Republika e Irlandës, Franca dhe Italia.
Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Francë, më 23, 26 dhe 29 mars, 2023. Liga A përbëhet nga 28 ekipe. Shtatë fituesit e grupeve do të kualifikohen në Kampionatin Evropian, i cili mbahet në Estoni.
Skuadrat që përfundojnë në vendin e katërt në grupe do të bien në Ligën B për rundin e parë kualifikues të edicionit 2023/24.
Ndërkohë, Përfaqësuesja U19 do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës B për Euro 2023, ku është përfshirë në Grupin 3, së bashku me Irlandën e Veriut, Qipron dhe Letoninë.
Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen më 4, 7 dhe 10 prill, 2023 në Irlandën e Veriut.
Fituesit e secilit grup dhe skuadra me bilancin më të mirë nga pozitat e dyta, do të promovohen në Ligën A për t’i vazhduar më pas kualifikimet drejt Evropianit 2023.
